Carovska: Në arsim shkojmë me faza dhe me qasje serioze

Është duke u përpiluar ligj i ri për tekstet shkollore. Kjo është vetëm një nga reformat e shumta që do të zbatohen në arsim.

“Jemi duke përgatitur ligj të ri dhe mbi bazë të këtij ligji do të sillet Metodologjia për pranim apo refuzim të materialit të caktuar mësimor ose tekstit shkollor. Metodologjia është përpiluar në mënyrë transparente me ndihmë të OSBE-së dhe është në fazë përfundimtare”, theksoi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Carovska shton se metodologjia për përpilim të teksteve shkollore do të jetë gjithëpërfshirëse, me qëllim që në to të mos figurojnë gjëra që janë në kundërshtim me vlerat qytetare.

“Me qëllim që kjo metodologji të jetë gjithëpërfshirëse dhe të shmanget mundësia që diçka që është në kundërshtim me vlerat qytetare të futet në librat shkollorë”, u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës.

Ish-ministrat Deskoska dhe Ademi kanë punuar, por siç thotë Carovska, tani në mandatin e saj ka ardhur koha që të bëhet një hap përpara drejt një konceptimi të ri. Ajo shton se të gjitha aspektet e mira nga programet e ndryshme mësimore merren në parasysh dhe zbatohen në sistemin tonë arsimor.

“Koncepti i ri është një koncept kombëtar, ky është dallimi me atë që ka ndodhur deri më tani. Çfarë do te thotë kjo? Kjo do të thotë se ne marrim gjëra të mira nga Kembrixhi, gjëra të mira nga Kroacia, Finlanda, Estonia. Ne marrim gjithçka që është e mirë, e përshtatim në kontekstin tonë, në sistemin tonë arsimor. Me kapacitetet që kemi, ne mund ta zbatojmë këtë”, deklaroi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Carovska shpjegon se në arsim futet edhe i ashtuquajtur “zhvillim i karrierës”, respektivisht ata që do të dallohen me përmbajtje të ndryshme, ata që do të krijojnë materiale shtesë mësimore, do të avancojnë. Ajo theksoi se në të kaluar, mësimdhënësve u jepeshin matrica, kurse ata që do të dilnin nga korniza, ndëshkoheshin./TV21