Çarja e tokës vazhdon, banorët në frikë! Dy familje në Likovë ende pa strehë, thërrasin për ndërhyrje urgjente

Çarja e tokës në Likovë nuk ka të ndalur. Pjesa shkëmbore që rrëshqet në hyrje të fshatit ka ngritur alarmin e evakuimit të disa shtëpive. Pamje apokaliptike nga hapja e tokës me disa metra të thella e të gjëra, shqetësojnë çdo ditë banorët e zonës. Në rrezik është edhe rruga regjionale.

“Ka më shumë se dy muaj nga rrëshqitja e masivit shkëmbor ku në hyrje të fshatit Likovë mbeten të evakuara dy shtëpi, familjarët e të cilave ndihen në rrezik për t’u kthyer në shtëpitë e tyre pasi që çarja e tokës vazhdon të zgjerohet nga hyrja e fshatit dhe nga Komuna përveç vendosjes së shiritave të Inspektoratit ndërtimor, kanë informuar edhe instancat qendrore, por asnjëra prej tyre nuk ka ndërmarrë masa që të hiqet ky masiv dheu dhe guri këtu në Likovë”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.

Më të rrezikuar janë familja Shukriu, të cilët tani më dy muaj kanë braktisur shtëpitë. Kryefamiljari bën thirrje që urgjentisht të intervenohet me gërryerjen e kodrës që mos të vijë deri tek fatkeqësia me pasoja në njerëz.

“Jemi në rrezik i gjithë fshati në përgjithësi por edhe unë dhe e kam lëshuar shtëpinë, po rrimë mysafir te nipat dhe dajtë. Ju bëj apel autoriteteve nga Shkupi që të vijnë sa më shpejtë në vendngjarje se mund të ndodh edhe problemi më i madh, mund të rrëshqet toka dhe të bllokoj rrugën kryesore Kumanovë-Shkup nga rruga e vjetër. Nuk ka bo vaki më përpara të rrëshqet ky vend, por tani jemi detyruar të largohemi prej shtëpisë me fëmijët dhe kafshët shtëpiake dhe të gjithë, andaj ju bëj apel të interevnohet sa më shpejtë”, u shpreh Agim Shukriu – pronar i shtëpisë në Likovë.

Nga Komuna e Likovës thonë se janë kryer ekzaminimet nga Instituti Sizmologjik për të verifikuar llojin e shkëmbit dhe rreziqet eventuale nga ujërat nëntokësorë në mënyrë që të shkërmoqet e gjithë ajo kodrinë. Ata thonë se kjo zonë nuk ka qenë e paraparë për ndërtime, por që janë në pritje të një vendimi të Qeverisë për ndërhyrje më të madhe me makineri. Për këtë komuna nuk ka mjete dhe duhet të hapet tender nga shteti për gërryerjen e gjithë kodrës.

“Komuna e Likovës i ka kryer të gjitha obligimet që i ka në bazë të ligjeve në fuqi, ku edhe janë përgatitur elaboratet e nevojshme, studimet e nevojshme nga institute të ndryshme, të cilat janë relevante dhe kompetente dhe me çka ne si komunë jemi drejtuar zyrtarisht deri te Qeveria e RMV-së dhe presim përgjigje sa më të shpejtë. Po ashtu kemi dërguar edhe urgjencë deri në Qeveri se atje kemi njerëz, të cilët nuk banojnë në shtëpitë e tyre ka rrezik të lartë, andaj kërkojmë që një ditë e më herët të kemi përgjigje dhe ti vazhdojmë procedurat e tjera administrative”, tha Erkan Arifi – kryetar i Komunës së Likovës.

Raporti i inspektimit të 02.12.2025 nga Enti Gjeologjik i RMV-së tregon se është riaktivizuar pas shumë vitesh një pllakë fosile shkëmbore me çarje me përmasa nga 20 cm deri në 1 m të gjera, rreth 4-5 m të thella dhe rreth 100-150 m të gjata. Raporti thotë se shkarja është ndihmuar nga reshjet e fundit atmosferike, duke rrezikuar stabilitetin e tokës. Enti Gjeologjik propozon për gërryerjen në kaskada, hapjen e tre vrimave gjeologjike në përcaktimin e llojit të shkëmbit dhe sasinë e saj që ka rrëshqitur dhe të merren masa urgjente për rehabilitimin e stabilizimin e saj.