Çamëria është kujtesa e shqiptarisë për trupin e saj të plagosur!

Kim Mehmeti

Mesazhi i shkrimtarit dhe publicistit #KimMehmeti me rastin e 30 vjetorit të themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”.

“Çamëria nuk është vetëm një nga shumë copëzat e tokës shqiptare që i grabitën të huajt, por ajo është kujtesa e shqiptarisë për trupin e saj të plagosur e ende të pashëruar.

Çamëria është peshore që saktësisht e matë mbëmendjen e shqiptarisë për vetveten, Çamëria është regjistër i varreve që mbetën në barkun e saj, e të cilët dekada me radhë i mbulon kullosa e s’ka kush t’i lotojë.

Çamëria është dhembje e thellë aq sa lotët dhe malli i atyre të cilëve ua grabitën vendlindjen, të cilët shkuan nga kjo botë pa pasur mundësi të ktheheshin aty ku kishin lindur dhe ku kishin ardhur në këtë botë, aty ku kishin besuar se do i lindnin e do i rrisnin pasardhësit e vet.

Çamëria nuk është vetëm një pjesë e kalendarit tonë tragjik, e as vetëm një plagë të cilën politikanët shqiptarë kurrë nuk ia dolën ta mbyllin, por ajo pandalë na mëson e na rikujton të mendojmë shqip, që gjithmonë na e ndërmend se vetëm të menduarit shqip na mundëson të shohim rrugën që na çon drejtë realizimit të idealit për një gjuhe, një populli e një Shqipërie me të gjitha tokat e mbetura tona në të dhe me të gjithë ne të bashkuar, aq sa jemi dhe aq sa kemi mbetur.

Unë që nga rinia çam jam. Edhe atë jo pse çamët kishin nevojë për mua, as për t’u stolisur me patriotizëm të marr falas nga tragjedia e një pjese të popullit tim, por pse besoja dhe besoj se duke qenë çam, më hije më ka shqiptaria dhe se ashtu për as një çast nuk do mund të harroj cili jam dhe cilët jan plagët e popullit tim, e që duhet të shërohen.” (Kim Mehmeti)

#ÇamJam