Kosovë-Shqipëri Cakolli nga KDI: LVV-ja prin në kryetarë, LDK-ja në kuvendet komunale

Cakolli nga KDI: LVV-ja prin në kryetarë, LDK-ja në kuvendet komunale

Eugen Canolli nga KDI, ka bërë një përmbledhje të rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve lokale. Ai ka thënë se nëse mblidhen votat e të gjitha komunave për kandidatët për kryetarë, prin LVV me rreth 27% në nivel vendi, ndërsa për kuvendet komunale prin LDK me rreth 24%.

 

Cakolli ka theksuar se zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake.

Postimi i plotë:

Më poshtë janë përmbledhjet e përgjithshme dhe për secilën parti. Sidoqoftë, sipas rezultateve të deritanishme, balotazhi do të jetë edhe më interesant.

Nëse mblidhen votat e të gjitha komunave për kandidatët për kryetarë, prin LVV me rreth 27% në nivel vendi, ndërsa për kuvendet komunale prin LDK me rreth 24%.

LVV ka fituar pa balotazh në 3 komuna (Kamenicë, Podujevë, Shtime); është e para në 2 komuna që shkojnë në balotazh (Gjilan, Fushë Kosovë); dhe është e dyta në 10 komuna (Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri).

– Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV ka bërë përparim të dukshëm. Nga asnjë komunë e fituar pa balotazh atëherë, këtë herë ka 3 fitore, ndonëse numri i komunave ku del e para ka rënë nga 5 në 2. Në të njëjtën kohë, numri i renditjeve të dyta është rritur – nga 8 në 10.

LDK ka fituar pa balotazh në 2 komuna (Istog, Lipjan); është e para në 6 komuna që shkojnë në balotazh (Dragash, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Junik); dhe është e dyta në 3 komuna (Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë).

– LDK ruan pothuajse të njëjtin nivel si në vitin 2021. Numri i komunave të fituara pa balotazh mbetet i pandryshuar (2), ndërsa ato ku del e para në balotazh janë rritur nga 5 në 6. Ndërkaq, renditjet e dyta kanë rënë nga 4 në 3.

PDK ka fituar pa balotazh në 3 komuna (Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Vushtrri); dhe është e dyta në 2 komuna (Dragash, Klinë).

– PDK ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 4 në 3, komunat ku del e para nga 6 në 4, ndërsa renditjet e dyta nga 4 në 2.

AAK ka fituar pa balotazh në 1 komunë (Deçan); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë); dhe është e dyta në 1 komunë (Junik).

– AAK mbetet në nivel të ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 2 në 1, ndërsa numri i komunave ku del e para mbetet i pandryshuar (4). Edhe renditjet e dyta janë të njëjta (1 komunë).