Eugen Cakolli, hulumtues në koalicionin e organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, ka thënë se nëse trendi aktual i përqindjeve nga rezultatet e votave me postë vazhdon deri në fund të numërimit, Lëvizja Vetëvendosje mund të mbërrijë në 52 ulëse në Kuvend.
Në rezultatet preliminare, VV-ja doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit duke marrë 48 ulëse në Kuvend. Trendi ndryshoi me numërimin e votave nga votimi nëpër përfaqësi diplomatike dhe në votat e deritashme të numëruara nga ato me postë. VV-ja mbërriti në 50 ulëse, ndërsa Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e humbën nga një.
Deri në fund kanë mbetur, aktualisht, edhe 37 vendvotime të votave me postë për numërim. Në total janë rreth 86 mijë zarfe të supozuara me vota që i ka pranuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas Cakollit, trendi nënkupton që numri i votave të vlefshme me postë pritet të jetë në fund rreth 82 mijë e 500.
“Ajo që vërehet deri tani është se trendet e votimit me postë dallojnë nga ato të votimit në ambasada dhe konsullata. Nëse përqindjet aktuale të votave me postë do të mbeteshin përafërsisht të njëjta deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se LVV do të ishte në zonën e 52 mandateve. Megjithatë, gara dhe lëvizjet për të paktën dy mandate tjera mbeten ende të hapura mes partive dhe rezultati përfundimtar do të varet nga mënyra se si do të shpërndahen votat në pjesën e mbetur të procesit të numërimit”, ka shkruar ai.
Në numërimin në vendvotime në Kosovë, VV-ja pati marrë rreth 43 për qind të votave. Në përfaqësi diplomatike (mbi 22 mijë votues), ajo mori mbi 80 për qind. Ndërkaq në numërimin e deritashëm nga votat me postë trendi qëndron mbi 65 për qind.
Në rezultatet e përmbledhura, VV-ja prin me 44.4 për qind, PDK-ja është e dyta me 20.6 për qind, LDK-ja e treta me 17.2 për qind dhe AAK-ja e katërta me 7 për qind.



