Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së Artan Grubi e përshëndeti “marrëveshjen historike midis LSDM-së dhe BDI-së për të formuar një qeveri që lejon për herë të parë Kryeministër shqiptar”.
“Kam shprehur urimet më të sinqerta për marrëveshjen historike që do të mundësojë për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe vetëm 100 ditë si fillim”, ka shkruar Cakaj në Fejsbuk.
Ai gjithashtu, thekson se krahas faktit se Kryetari i Kuvendit do të vazhdojë të jetë një shqiptar, mbetet arritje historike që diplomacia e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga një shqiptar “që është konfirmim për forcimin e faktorit shqiptar”.
Sipas Cakaj, marrëveshja e sotme hap një horizont të pashembullt për forcimin e shqiptarëve dhe zhvillimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.
“Urime të gjithë shqiptarëve e falënderim të veçantë z. Ali Ahmeti e z. Artan Grubi për punën e vyer që kanë bërë në drejtim të forcimit të faktorit shqiptar, demokracisë e zhvillimit të brendshëm dhe proceseve euroatlantike në Maqedoninë e Veriut”, uroi Ministri Cakaj, i cili është me origjinë nga Kosova.
Në fund shefi i diplomacisë shqiptare garantoi se me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh dhe puna e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.