“Kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, së bashku me drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Samir Iseni, kanë vizituar sot Parkun e Çairit, një nga pikat ku po zhvillohen aktivitetet në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”.
Murtezi bëri të ditur se ekipet mjekësore prej disa ditësh po ofrojnë kontrolle bazë shëndetësore në Parkun e Çairit, Parkun “Rinia” dhe në Çarshinë e Vjetër.
“Në kuadër të kësaj platforme, ekipet mjekësore po vazhdojnë me kontrollet bazë shëndetësore, matjen e tensionit të gjakut, matjen e nivelit të sheqerit në gjak, si dhe me këshillimin e qytetarëve për mbrojtje nga temperaturat e larta të verës”, theksoi Murtezi.
Ai nënvizoi se platforma synon të afrojë shërbimet shëndetësore më pranë qytetarëve dhe të rrisë ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj shëndetit.
Sipas Murtezit, aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me aktivitete të tjera që janë në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.





