Çairçanja do të zgjerohet vitin e ardhshëm?

 “Do ta shihni zgjidhjen më të mirë. “Cvetan Dimov” do të ketë zgjidhje të plotë siç është premtuar para qytetarëve edhe ashtu do të zbatohet, po punojmë me kryetarin, jemi në fazë finale, së bashku do ta paralajmërojmë projektin, nuk dua që para kohë të dal dhe të flas, sepse jemi marrë vesh që ta plasojmë së bashku si projekt për çairasit dhe për të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë pjesë të qytetit”, tha Danella Arsovska, Kryetare E Shkupit (08.06.2022)

 

 

Kështu u shpreh kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska para katër muajve në lidhje me zgjidhjen e kaosit në bulevardin “Cvetan Dimov” të njohur si Çairçanja. Konferencën për media që e premtoi së shpejti bashkë me kreun e Çairit Visar Ganiu nuk e realizoi. Pyetëm në Qytetin e Shkupit se deri ku janë punët për zgjerimin e kësaj rruge, mirëpo nuk morëm përgjigje. Detaje na zbulon i pari i Çairit, Ganiu. Ai për TV21 tregon se ka nisur procedura për analizën e përmbajtjes së infrastrukturës nëntokësore.

“Jemi dakorduar që Komuna e Çairit ta merr ta bën projektin infrastrukturor, do të thotë nëntokë se çka përmban, për shkak se kjo është një ndër kushtet për të dhënë lejen e ndërtimit. Ne një gjë të tillë jemi duke e bërë me një kompani, që po e bën këtë projekt dhe kuptohet që pas këtij projekti më do të fillojë implementimi i asaj që është bërë si shpallje, do të thotë furnizime publike, për ta zgjedh operatorin, për të bërë vlerësimin për shpronësimin e objekteve që duhet të largohen në vijat që i kap zgjerimi i bulevardit.”- deklaroi Visar Ganiu – Kryetar I Komunës së Çairit.

 

Kjo procedurë sipas Ganiut do të zgjas deri në janar, ku më pas do të nënshkruhet leja për zgjerimin e rrugës, me çka do të fillojë edhe mënjanimi i objekteve përreth rrugës.

Përndryshe zgjidhje për trafikun e dendur në këtë zonë të qytetit momentalisht janë ndarëset e betonit. Ato janë vendosur para rreth 2 vitesh nga ish kryetari i Shkupit Petre Shilegov.