Bytyqi: Në fund të vitit, arkat e buxhetit do të kenë mungesë prej një miliard eurosh

Në seancën e sotme të pyetjeve parlamentare, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, paralajmëroi se treguesit fiskalë të publikuar më 25 nëntor 2025 zbulojnë një boshllëk serioz në realizimin e të ardhurave të buxhetit.

Në vend të dinamikës së planifikuar, shteti deri më tani ka mbledhur gati 299 miliardë denarë, që është vetëm 82.32% e planit vjetor, duke lënë një boshllëk prej mbi 64 miliardë denarë ose 1.04 miliardë euro, fonde që duhet të sigurohen deri më 31 dhjetor të këtij viti.

“Në pyetjen drejtuar zëvendësministrit të Financave, Nikollçe Jankulovski, deputeti Bytyqi pyeti se sipas cilave artikuj, në çfarë shumash dhe nga cilat burime do të sigurohen afërsisht 64.07 miliardë denarë (rreth 1.04 miliardë euro) për realizimin e plotë të të ardhurave deri më 31.12.2025, nëse me huamarrje shtesë dhe në cilat tregje financiare, nëse me të ardhura të jashtëzakonshme dhe të njëhershme dhe nëse mund të garantohet publikisht se për shkak të “mbylljes së buxhetit” të vitit, nuk do të ketë vonesa në rimbursimet e TVSH-së, nuk do të krijohen detyrime të reja të papaguara ndaj kompanive dhe nuk do të bëhen shkurtime shtesë të shpenzimeve kapitale”, tha Bytyqi.