Bytyçi tregon se kush qëndron prapa aksioneve të Xhandarmërisë serbe në Kosovë

Një incident i rëndë është raportuar në veri të Kosovës, ku sipas autoriteteve, pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe dyshohet se kanë hyrë brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke plagosur dhe rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V., shtetas i Kosovës me kombësi serbe.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të komunës së Leposaviqit, në një zonë kufitare të ndjeshme, e njohur për tensione të vazhdueshme mes forcave të sigurisë së dy shteteve.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër pas incidentit, duke e cilësuar veprimin si “shkelje flagrante të kufirit shtetëror dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës”.

“Ky është një akt agresioni i planifikuar dhe i drejtpërdrejtë nga strukturat e sigurisë së Serbisë. Kjo ngjarje konfirmon edhe një herë rrezikun e vazhdueshëm që paraqet prania e strukturave ilegale dhe forcat e armatosura të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën,” – deklaroi Sveçla.

E profesori dhe analisti i njohur, Enver Bytyçi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Në një prononcim për “Bota Sot”, profesor Bytyçi thekson se pas këtij akti qëndron vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe jo strukturat formale të sigurisë.

ImageProf. Dr. Enver BytyçiFoto galeri
“Xhandarmëria e Serbisë ka kryer këto ditë edhe një akt tjetër agresioni. Në fakt nuk e ka bërë këtë xhandarmëria. Eshtë Milan Radoiçiq, me të cilin presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ndan zyrën e tij, ai që me disa terroristë me uniformën e xhandarit ka kryer akt terrori kundër Kosovës,” – deklaron profesor Bytyçi.

Sipas tij, ky akt terrori përfundoi me plagosjen e qytetarit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, në territorin e komunës së Leposaviqit, ndërsa avokati i viktimës, Ivan Niniq, ka akuzuar personalisht Vuçiqin për këtë ngjarje.

“Vetë presidenti i Serbisë bën sikur është jashtë këtij akti. Thotë se strukturat e ngarkuara me sigurinë janë në kërkim të personit që ka qëlluar kundër Vukashinoviq, por sipas tij ‘nuk po mundin ta gjejnë’. Ka mundësi që terroristi bashkë me Milan Radoiçiq të jenë në ndonjë nga zyrat e presidencës serbe,” – thekson ai.

“Më i tmerrshëm dhe cinik është motivi pse ka ndodhur ky akt. Vukashinoviq jo vetëm u plagos rëndë, por më pas u rrëmbye prej vrasësve terroristë dhe thanë se u dërgua në spitalin e Nishit. Uniformat e xhandarmërisë serbe e mbrojtën terroristin në fjalë,” – shprehet profesor Bytyçi.

Bytyçi thekson se ngjarja ka ndodhur për faktin se viktima punon dhe bashkëpunon me institucionet e Kosovës.

“Motivi i ngjarjes lidhet me faktin se viktima e terrorit punon në strukturat e institucioneve të Kosovës dhe punon për bashkëjetesën midis shqiptarëve shumicë dhe pakicës serbe. Presidenti Vuçiq e ka quajtur këtë tradhti dhe e ka shpallur armik të Serbisë,” – deklaron ai.

“As Hitleri nuk ka marrë armët të vrasë hebrej apo kundërshtarët e tij. Por ishin platformat, idetë dhe qëndrimet e tij që nxitën genocidin hitlerian. Vuçiq ka mendësinë dhe ndjek praktikat e Hitlerit, por pa mundur të bëjë dëme si ai,” – thekson Bytyçi.

Sipas tij, plagosja e Vukashinoviqit është një paralajmërim për serbët e tjerë që bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

“Plagosja e Vukashinoviq është para së gjithash paralajmërim për të tjerë pjestarë të komunitetit serb në Kosovë, të cilët bashkëpunojnë me shtetin kosovar. Edhe akti terrorist në Leposaviq ndodhi për këtë arsye: për t’i trembur serbët që mos pranojnë bashkëpunim me institucionet e Kosovës,” – thotë ai.

“Derisa qëllimi ishte dhe mbetet ky, derisa ideatori dhe nxitësi kryesor është presidenti i vendit, atëherë duhet që akti të trajtohet si i tillë dhe Xhandarmëria Serbe të shpallet armike e Kosovës e t’i ndalohet hyrja në territor përgjithmonë,” – kërkon Bytyçi.

Ai apelon që KFOR dhe faktori ndërkombëtar të mos heshtin përballë këtij terrori shtetëror.

“KFOR-i dhe ndërkombëtarët, edhe ata ambasadorë që janë gati ta ndëshkojnë Kosovën pse ndërton ura, kanë për detyrë t’i thonë të zezës e zezë dhe të bardhës e bardhë. Ata e dinë se prapa akteve terroriste në Kosovë qëndron kreu i shtetit të Serbisë,” – shton Bytyçi.

Në përfundim, Bytyçi e quan terrorin ndaj serbëve të Kosovës “projekt të strukturave shtetërore të Serbisë”.

“Ndërkombëtarët e dinë fort mirë se terrori në Kosovë është projekt i strukturave të shtetit të Serbisë. Uniformat e policit, xhandarit dhe ushtarit të Serbisë i mbajnë terroristët që fshihen pas reparteve të paramilitarëve. Furnizues të tyre janë organizatat nacionaliste pro-ruse dhe fashiste të Serbisë,” – thotë ai.

“Institucionet e Kosovës e kanë për detyrë që t’ua çjerrin maskën terroristëve politikë që drejtojnë shtetin e Serbisë. Terrorist është Milan Radoiçiq, por po aq terrorist është edhe Aleksandër Vuçiq, i cili e mbron me zell Milanin dhe Vulinin,” – përfundon profesor Bytyçi për “Bota sot”.