Qeveria është afër finalizimit të pakos së pestë ekonomike për mbështetje të bizneseve dhe qytetarëve të prekur nga kriza e Kovid19. Kjo pako pritet të përmbyllet brenda javës nëse ndërkohë arrihet koncenzus me të gjitha palët e interesuara. Zëvendës kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi, tha se pakoja do të peshojë nga 50 deri në 60 milionë euro si implikime të drejtpërdrejta të buxhetit, por implikimet fiskale do të arrijnë deri në 150 milionë euro. Bytiqi ka konfirmuar se do të vazhdojë edhe mbështetja për pagat e të punësuarve.




Fatmir Bytiqi, zv kryeministër
“Do të ketë mbështetje financiare për pagat siç ishte më parë, sepse edhe ndihma e mëparshme nuk ishte e pakushtëzuar. Edhe më herët, duheshin përmbushur disa kushte që ndihma të bëhej e pakthyeshme, të njëjtin mekanizëm e përdorim edhe tani. Tani po diskutohet për të dy opsionet me sindikatat, Odat ekonomike dhe të gjithë të tjerët – të vazhdohet me mbështetjen si më parë ose ajo të zëvendësohet me kredi pa interes. Këtë javë do të duhet të vendosim bashkërisht me të gjithë aktorët e interesuar se cila është masa më e mirë, duke pasur parasysh që ngadalë po rimëkëmbemi dhe po hyjmë në rinisjen e ekonomisë”
Duke folur për masat e deritanishme, Bytiqi tha se vauçerët për qytetarët ka qenë një masë ad-hok e cila ka mbuluar pothuajse 700 mijë qytetarë dhe shtoi se në grupin e ri të masave parashikohet edhe një masë për ta shlyer interesin e mbetur që i kanë qytetarët në ndërmarrjet publike në nivelin lokal ose kombëtar. Në gjithë pakon e pestë zëvendës kryeministri Bytiqi paralajmëroi se do të ketë më shumë se 20 masa nga e cila do të vijnë mjaft mjete për ata që janë më të rrezikuar. Nëse ka nevojë, Bytiqi tha se në muajt e ardhshëm do të ketë masa të reja për qytetarët.
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pret që shkurti të jetë muaji kyç për realizimin e masave të pakos së pestë ekonomike dhe apeloi që deputetët në Kuvend ta miratojnë skemën garantuese që të mund të zbatohet. Edhe Bekteshi tha se të gjithë që marrin pjesë në këshillin socio-ekonomik, dëshirojnë të sjellin masa sa më të mira që t’i dalin në ndihmë ekonomisë veçanërisht sektorit hotelierik dhe turimzmit.
Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë
“Disa masa të caktuara janë paraparë edhe në pakon e pestë të masave ekonomike në pjesën e pagesës së pagave, por njëherësh edhe me ofrimin e kredive pa interes dhe ngjashëm. Shumica e kërkesave të sektorit hotelierik dhe turizmit do të pranohen. Si institucion tashmë kemi bërë analizat përkatëse dhe nuk do të mbetemi pasivë, por masat do të jenë në drejtim të proaktivizimit edhe të institucioneve por edhe të hotelierëve. Të gjithë ata që në fund të vitit 2021 do të dëshmojnë rezultate shtesë të viteve të kaluara duke i përfshirë edhe vitin 2019 dhe 2020 do të ndihmohen më shumë. Ata të cilët do të jenë pasivë do të ndihmohen si të gjitha firmat të cilat do t’i përmbushin kushtet”
Bekteshi paralajmëroi poashtu se gjatë fundit të tremujorit të parë të këtij viti do të publikohet thirrja publike për vauçerët për turizmin vendor nga Ministria e Ekonomisë. Por, kësaj radhe do të ketë kritere të ndryshme prej vauçerëve të dhënë paraprakisht gjatë pandemisë, ndërsa vlera e çdo vauçeri do të jetë 250 euro dhe do të jetë për familjet të cilat janë më të goditura dhe kanë të ardhura më pak se 30.000 denarë.