Një person në Prizren është arrestuar pasi ka therur me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tyre të mitur, duke i plagosur rëndë, bëri të ditur Prokuroria Themelore në këtë qytet.
Viktimat janë dërguar për trajtim në spitalin rajonal të Prizrenit, tha Prokuroria.
“Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, u tha në njoftim.
Ngjarja u raportua në orën 00:20 të 17 tetorit dhe patrulla policore me të arritur në vendngjarje hasi në bashkëshorten e të arrestuarit e cila gjendej në rrugë me “lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara nga thika”.
Asaj i është ofruar ndihmë mjekësore nga policët deri në ardhjen e ekipit të emergjencës.
“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje”, u tha në njoftim.
Autoritetet thanë se në hyrje të banesës e kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin.
Prokuroria tha se po vazhdon hetimet për këtë rast dhe do të parashtrojë në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
Viteve të fundit, Kosova ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, më 2024 ishin 2.959 raste të raportuara për dhunë në familje, ndërkaq më 2023 ishin regjistruar 2.460 raste.
Në shumicën dërrmuese të tyre, viktima janë gratë.
Nga viti 2010, ndërkaq, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra – dy prej tyre vitin e kaluar. Në të shumtën e rasteve, autorë të këtyre krimeve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët.
Në shtator të vitit 2020, Kosova ka miratuar Konventën e Stambollit, të hartuar nga Këshilli i Evropës si instrument që detyron shtetet të luftojnë dhunën kundër grave dhe dhunën në familje.
Megjithatë, organizatat që merren me të drejtat e grave shpesh kanë kritikuar institucionet e drejtësisë, duke thënë se “dënimet e lehta” po i “trimërojnë” kryesit e këtyre veprave./REL