Burri nga Kumanova, bashkëshortja nga Kaçaniku, të dy iu bashkuan ushtrisë amerikane për të çliruar Kosovën (Video)

Kumanovari Ajaz Emini në vitin 1999, ka qenë duke bë përgatitjet e fundit që t’i bashkëngjitet batalionit të UÇK-së në Amerikë i njohur si Atlantiku, kur ka pranuar një ofertë për tu kyçur në forcat amerikane që bëheshin gati të intervenojnë në Kosovë. Ky mërgimtar nga fshati Llojan, që kishte migruar në vitet e shtatëdhjeta në SHBA për shkak të presionit jugosllav, tre ditë me radhë ishte menduar nëse do ishte më mirë t’i bashkëngjitet drejtpërdrejt UÇK-së përmes batalionit Atlantiku, apo forcave amerikane. Pas tre ditëve ka vendosur ta pranojë ofertën, sepse ka vlerësuar që kontributin më të madh mund ta japë si pjesëtar i ushtrisë amerikane, asokohe ende e stacionuar në Shqipëri. Emini sot bën jetë të qetë familjare në Ohajo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mirëpo çdo herë kur afrohet ndonjë datë e rëndësishme kombëtare, si dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai akoma përsërit të njëtin ritual- e veshë uniformën me të cilën para 20 viteve i shërbeu ushtrisë Amerikane për çlirimin e Kosovës, për të rikujtuar momentet e vështira të popullit shqiptar, që kulmuan me çlirim nga okupatori serb. Në prag të kësaj feste, ekipi i gazetës Lajm dhe Lajm.Tv ka vizituar Eminin në shtëpinë e tij në Klivlend, për të evokuar kujtimet e këtij veprimtari për luftën e Kosovës.

 

Sinkron, Ajaz Emini, shqiptar nga Kumanova pjesë e forcave amerikane në vitin 1999

 

Unë isha i gatshëm t’i bashkangjitem batalionit të Atlantikut dhe isha në kontakte me njerëzit për t’iu bashkangjitur atij batalioni, kur e kuptova se kërkohen përkthyes në ushtrinë amerikane.

 

Emini ka filluar detyrën si përkthyes, por shpejt është avancuar, duke u bë lidhje mes ushtrisë amerikane dhe shtabit të UÇK-së. Lidhja është mbajtur përmes gjeneralit shqiptar, Kudusi Lame. Ai ka pranuar koordinatat e vendndodhjes së forcave serbe prej shtabit të UÇK-së, kurse koordinatat e përkthyera në gjuhën angleze ua ka dorëzuar gjeneralëve amerikanë, që më pas kanë dhënë urdhër për sulmet. Puna nuk ka qenë e lehtë, por ka pasur momente kënaqësie, kur sulmet kanë goditur caqet serbe, kurse një pjesë të meritave i kanë takuar edhe atij.

 

 

Detyra ime në fillim ishte si përkthyes. Mirëpo më vonë, kalova te forcat speciale, u angazhova  në pranimin e dokumenteve drejtpërdrejt nga shtabi i UÇK-së, përmes gjeneralit Kudusi Lame. Puna ime ishte t’i  përkthej, ta bëj korrigjimin e emrave dhe vendbanimeve. Pasi verifikoheshin koordinatat në hartat topografike, i dorëzoheshin shtabit në Tiranë dhe nga Tirana urdhëroheshin bombardimet mbi caqet serbe.

Gëzimi më i madh ishte kur pasi i merrnim koordinatat, ia jepnim forcave të NATO-s, dhe kur vinin informacionet që caqet janë bombarduar me sukses, ai ishte gëzimi më i madh.

 

Ajaz Emini e ka vërejtur se prezenca e shqiptarëve në ushtrinë amerikane është mjaft e dobishme, prandaj pas dy muajve e ka edhe bashkëshorten Shahadije Hoxha. Ajo është mbesa e Mulal Ismajlit, patriotit të madh nga Kaçaniku  dhe pa hamendje e ka pranuar ofertën e bashkëshortit të bëhet pjesë e ushtrisë amerikane dhe të kontribuojë në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

 

Angazhimin në radhët e ushtrisë amerikane, Ajazi me bashkëshorten e tij e kanë vazhduar edhe pas çlirimit të Kosovës. Ata kanë dhënë kontribut kyç në vendosjen e  themeleve të pasluftës të e gjykatave në Gjilan, Viti e Ferizaj.

Njëzet vite pas çlirimit të Kosovës dhe në 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Emini thotë se edhe përkundër përparimit që është arritur, megjithatë nuk janë realizuar pritjet dhe shpresat e atyre që kontribuuan për çlirimin e Kosovës.

 

Njëzet vite është një kohë shumë e gjatë. Shpresat kanë qenë ndryshe në krahasim me realitetin që po e shohim sot. Megjithatë ka një përparim për gjithë kombin shqiptar, në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, por edhe në Shqipëri.

 

Ajaz Emini ekskluzivisht për Lajm Tv ja prezantuar një dorëshkrim origjinal me koordinatat ashtu siç i ka pranuar nga UÇK përmes gjeneralit Lame, dhe të përkthyera në formën që ua ka dorëzuar forcave amerikane. Këtë dokument është i gatshëm ta dhurojë në ndonjë muze kosovar, që

 

Për shkak të angazhimit në luftën e Kosovës, por edhe për angazhimin e tij në komunitet, Ajaz Emini është i respektuar te shqiptarët në Klivlend. Ai ka qenë edhe kryetar i Shoqatës shqiptaro-amerikane në këtë qytet dhe në atë kohë është hapur edhe shkolla në gjuhën shqipe.

 

Klivlendi është larg nga Kumanova, por Ajazi me shpirt e me mendje vazhdimisht është afër vendlindjes dhe familjarëve. Gjatë angazhimit në radhët e ushtrisë amerikane dhe si kryetar i Shoqatës shqiptaro-amerikane në Klivlend, ka pasur rastin të takojë shumë fytyra të njohura, duke filluar nga sekretarja e shtetit Medlin Ollbrajt, e deri te kongresmenë e senatorë të shumtë.

Është kritik i ashpër i politikave të pushtetarëve shqiptarë në Maqedoni, që rajonin e Kumanovës dhe Likovës e kanë lënë në harresë, sepse siç thotë, i janë dhënë hajnisë. Si brengë të madhe e ndien edhe rastin e montuar të Kumanovës, që janë dënuar me burgim të përjetshëm. “Një parti që nuk bënë asgjë për popull brenda një mandati ajo parti duhet të shkoj, voto ta provoj tjetra parti”, është porosia e tij që përmes Lajm.Tv e dërgon në vendlindje.