Burrë e grua nga Tetova po kultivojnë gjuhën dhe traditën shqiptare në Zvicër

Kryeqyteti helvet Berna me rrethinë, është i banuar me mijëra shqiptarë. Është një nder i madh të banohet në këtë qytet të bukur, pasi vlerësohet si krenaria e zviceranëve. Në krahasim me qytetet e tjerë zviceranë, shqiptarët këtu janë pak më të “ndrojtur”, pasi nuk merren me shumë aktivitete kombëtare, duke i dhënë më shumë rëndësi ruajtjes së kontakteve me popullatën zvicerane. Por, ka edhe të atillë që nuk kursejnë asgjë për të ngritur traditën shqiptare në piedestalin më të lartë te kurreshtja e zviceranëve. Nuk duhet injoruar përpjekjet shumëvjeçare të klubit shqiptar futbollistik FC Prishtina Bern, i cili u formua në fillim të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, e që me sukses po përfaqëson kombin tonë në evenimente të ndryshme zvicerane. Mu në këtë klub, edhe Asan Jashari nga rrethina e Tetovës i bëri hapat e parë të integrimit të tij në shoqërinë zvicerane. Pra, një nderë të tillë, për të qenë shembull i shqiptarëve në kryeqytet, ka edhe familja Jashari, e cila në kryeqytet u vendos nga fundi i dekadës së nëntë të shekullit të kaluar.

Asani u largua nga vendlindja pasi nuk kishte perspektivë në profesionin e tij si gjeodet i diplomuar, informon Shtegu.com. Fillimisht punoi nëpër kantiere të ndryshëm të Zvicrës, që më pas të vazhdojë me profesionin e tij të preferuar. Malli për vendlindje, brenga për të ardhmen e saj, e nxitën që të aktivizohej edhe në jetën shoqëroro-politike në mjedisin zviceran, duke themeluar Shoqatën e mërgimtarëve “Bashkimi” me seli në Ostermundigen. Dorë të djathtë e kishte bashkëshoretn Ida Jashari, një bashkatdhetare e etur për kultivimin e gjuhës shqipe, e cila është e angazhuar në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, në kuadër të Lidhjes së arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.

Sot, çifti bashkëshortor feston përvjetorin e tridhjetë të martesës, një ditë ideale për t`ju uruar edhe shumë vite të lumtura, me aktivitete të mëtutjeshme në jetën kulutrore shqiptare në Zvicër, e që po na bëjnë gjithnjë e më shumë krenarë.