Shkruan: Naser Pajaziti
Burhan Nuhija i njohur si Burhan Poroji po mbush gati 21 vjet në burgun e Idrizovës, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një të riu maqedonas në lagjen Drenovec të Tetovës më 19 tetor 2002, derisa po lozte basketboll me fëmijët e lagjes.
Në vazhdimësi kemi trajtuar rastin e Burhanit, i cili kërkon drejtësinë dhe pafajësinë, pasi që dëshmitë dhe provat e ofruara flasin se ai nuk ka lidhje me këtë vrasje makabre, një vit pas përfundimit të konfliktit të 2001.
Avokatët e tij thonë se kjo lehtësisht dëshmohet edhe përmes dhjetëra dëshmive dhe provave që dëshmojnë se Burhani se është i pafajshëm. Burhani thotë se është proces i montuar ndaj tij si ish-pjesëtar i UÇK-së, dhe se rasti i tij është pjesë e montimeve të shërbimeve sekrete të skenarit “Panda” në Pejë!
Burhani në disa biseda dhe rrëfime ka apeluar për drejtësi, fuqishëm i bindur se e kanë montuar.
Ai thotë se si vëlla i dëshmorit të UÇK-së dhe djalë i një hoxhe të nderuar dhe kombëtar nuk e kanë traditë të bëjnë akte të tilla qyqare dhe kriminale, por se rasti i është mveshur, duke e akuzuar padrejtësisht.
“Dihet botërisht se ne si shqiptarë nuk ngremë gisht ndaj fëmijëve, por është rast i montuar klasik. 21 vite po vuaj padrejtësish. Shendeti po më dobësohet. Kërkoj drejtësi sepse jam i pafajshëm si ish-ushtarë i UÇK-së. Askush nuk jep llogari sikur nuk dhanë për rastin Alfa ku vdiq Rexhail Qerimi. Ka edhe shumë raste të montuara…”, rrëfen Burhani.
Fëmijët e tij u rritën pa babanë pranë, ndërsa ai i sheh vitet të kalojnë pas hekurave. Nëna iu nda nga jeta pa arritur ta përqafojë për herë të fundit, dhe atij nuk iu lejua të marrë pjesë as në ceremoninë e varrimit në fshatin e tij Poroj, sepse nuk kishte mijëra apo miliona euro për kaucion.
Përkundër thirrjeve, ai mbetet në qeli, duke kërkuar vazhdimisht zbulimin e së vërtetës.
Ai shpjegon se të gjithë dëshmitarët dhe dëshmitë e dorëzuara atëkohë para gjykatës vërtetuan pafajësinë, por trupi gjykues për të mbyllur shpejt lëndën, e dënoi me burgim të përjetshëm.
Ky rast me ankesa ka ngecur në instancat gjyqësore për të mos u mbyllur deri në fund.
Janë me dhjetëra dëshmitarë që ishin paraqitur në gjykatë se Burhani ditën e vrasjes ishte krejtësisht në vend tjetër, por që gjykata nuk pranoi ato. Disa nga dëshmitarët sot kanë ndërruar jetë, por ka dëshmi edhe të tjera që avokati i tij maqedonas thotë se klienti i tij mbahet pa faj.
Zbardhja e këtij rasti të harruar në labirinthet e drejtësisë mund të çmontoj rubikonin e montimeve dhe zinxhirit institucional të nëntokës që ka funksionuar sipas shabllonit DSK+ Prokurori hetues+ Trupi Gjykues.
Në gjithë këto vite, për rastin e tij pothuajse askush nga politika nuk ka gjetur guximin të flasë, asnjë ministër apo zyrtar që të kërkojë rishqyrtim dhe zbardhje të plotë të së vërtetës. Ai mbetet në qeli, me shpresën se një ditë drejtësia do të flasë — dhe se sakrifica e këtyre 21 viteve nuk do të mbetet një plagë e hapur pa përgjigje.





