Burg dhe konfiskim të veturës, miratohet ligji për siguri në komunikacion

Janë miratuar ndryshimet ligjore: kush vozit i dehur, nën ndikimin e drogave ose me shpejtësi të tepruar, do të shkojë në burg dhe do të mbetet pa veturë.

Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut miratuan ndryshimet ligjore të nevojshme që sistemi “Qytet i Sigurt” të funksionojë plotësisht.

U votuan ndryshimet në Ligjin për Automjete, Ligjin për Policinë, Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit, ndërsa ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje janë ende në lexim të dytë. Paralelisht, janë propozuar edhe ndryshime në Kodin Penal, me qëllim harmonizimin me paketën e re të masave.

Rregullat e reja e rregullojnë në detaje procedurën – nga evidentimi i kundërvajtjes, njoftimi i shkelësit, e deri te shqiptimi i sanksioneve më të rënda. Sistemi “Qytet i Sigurt” pritet të funksionojë plotësisht nga 1 shkurti.

Sipas ndryshimeve ligjore, një shofer që brenda katër viteve merr tri herë ndalim të formës së prerë për drejtimin e automjetit të së njëjtës kategori, do të mbetet pa leje drejtimi. Gjykata do t’ia heqë lejen dhe shkelësi nuk do të ketë të drejtë të japë sërish provimin e vozitjes për së paku një vit.

Pas marrjes së vendimit gjyqësor, ai i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas së cilës shoferi njoftohet përmes SMS-it ose emailit se leja e drejtimit pushon së vlefshmi brenda tetë ditësh. Ndalimi për drejtimin e automjetit mund të zgjasë nga një muaj deri në një vit, ndërsa të dhënat për masat e shqiptuara do t’u jenë të qasshme edhe shërbimeve kufitare.

Për shtetasit e huaj me leje drejtimi të huaj, ndalimi do të vlejë në territorin e shtetit dhe për këtë do të njoftohet edhe policia kufitare.

Risi ka edhe për të dhënat e kontaktit. Çdo pronar automjeti që ndryshon numrin e telefonit ose adresën elektronike, duhet t’i përditësojë këto të dhëna brenda tre ditësh në stacionin e kontrollit teknik. Nëse nuk e bën këtë, pason gjobë prej 100 eurosh, ndërsa janë paraparë dënime edhe për personat juridikë, sipas madhësisë së tyre.

Shkelësit do të marrin SMS dhe email me procesverbal dhe fotografi të kundërvajtjes së kryer. Ata kanë të drejtë ankese në gjykatë, ndërsa nëse gjobën e paguajnë brenda tetë ditësh, paguajnë vetëm gjysmën e shumës.

Me ndryshimet rregullohet më tej edhe sistemi i pikëve negative, ndërsa në Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit futet tolerancë gjatë matjes së shpejtësisë, ku nga vlera e matur do të zbritet marzhi i gabimit të pajisjes.

Vendoset ndalim i plotë për drejtimin e automjetit nën ndikimin e drogave dhe substancave psikotrope. Autoshkollat marrin detyrime shtesë, ndërsa kandidatët për instruktorë, ligjërues, kontrollorë dhe provues do të duhet të japin provim profesional para një komisioni në MPB. Ligji i përcakton më saktë edhe zonat me komunikacion të qetësuar, duke futur “zonë shkollë” dhe “zonë 30”.

Ndryshime të rëndësishme parashihen edhe në Kodin Penal. Për vepra të rënda penale në komunikacion, gjykata detyrimisht do të shqiptojë ndalim për drejtimin e automjetit nga gjashtë muaj deri në dhjetë vjet. Po ashtu, gjykata do të mund t’ia konfiskojë automjetin shkelësit nëse ka kryer vepër të rëndë penale në komunikacion dhe më parë ka qenë i dënuar për vepra të ngjashme.

Dënime me burg nga tre muaj deri në tre vjet dhe gjoba financiare parashihen për vozitje me mbi 1.5 promil alkool në gjak, për vozitje nën ndikimin e drogave, për lëvizje në kah të kundërt, për parakalim në vende të papërshtatshme ose për tejkalim të ndjeshëm të shpejtësisë së lejuar. Të njëjtat sanksione vlejnë edhe për organizimin ose pjesëmarrjen në gara të ndaluara, si dhe për drejtimin e automjetit pa provim të dhënë ose pa leje drejtimi të vlefshme.