Autoritetet bullgare po hetojnë një seri krimesh të rënda pas zbulimit të gjithsej gjashtë trupave në një afat prej shtatë ditësh, në një rast i cili, sipas policisë, mund të jetë i lidhur me një komunitet të mbyllur me elemente kulti dhe pedofilie.
Tre trupat e fundit – dy burra dhe një djalë 15-vjeçar – u gjetën në një kamper pranë malit Okolçica, rreth 80 kilometra larg strehëzës malore ku më parë ishin zbuluar tre viktima të tjera. Drejtori i policisë kombëtare bullgare, Zahari Vaskov, deklaroi se që të tre personat e fundit ishin të dyshuar për vrasjen e mëparshme të trefishtë. “Po përballemi me një krim pa precedent, të paktën për Bullgarinë”, deklaroi Vaskov, duke shtuar se të shtënat me shumë gjasa ishin shkrepur brenda vetë kamperit.
Automjeti në të cilin u gjetën trupat është i regjistruar në një organizatë joqeveritare që organizon kampe rinore. Sipas Agjencisë Shtetërore për Sigurinë Kombëtare, kundër kësaj organizate ishte dorëzuar një denoncim para dy vitesh për abuzim seksual të fëmijëve dhe ekzistencën e strukturave paramilitare.
Prokuroria rajonale e Sofjes informoi se strehëza malore ku ndodhën vrasjet e para ishte djegur, ndërsa viktimat kishin plagë me armë zjarri dhe u identifikuan si anëtarë të së njëjtës OJQ. Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Borislav Sarafov, deklaroi se aktivitetet e organizatës “nuk ishin në interes të shoqërisë dhe të fëmijëve”. Hetimi po vazhdon dhe policia po shqyrton të gjitha hipotezat e mundshme, përfshirë ekzistencën e një komuniteti të mbyllur me karakteristika kulti.



