Shkruan: Medai Shaholli
Prononcimi i ministrit të jashtëm Osmani këto ditë në lidhje me kërkesën bullgare për t’i pëfshirë ata në kushtetutën e vendit paraqet lëshimin e parë dhe kapitullim pa kushte para shantazhit bullgar si ministër kukull i qeverisë Dhimo.
Mbase kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë është pranuar më parë nga qeveria dhe në këtë mënyrë papagalli i Dhimos paraqet vetëm si pikëpamje të eprorit të tij si ministër i jashtëm pa kontesuar asgjë nga ato që i kanë këshilluar.
Mirëpo, mendjendrituri ynë e di mirë që një amandament denigrues i kushtetutës përcakton gjuhën shqipe si gjuhë shifrash dhe nuk e brenë ndërgjegjja se ky ‘mëkat’ se duhet fshirë nga kushtetuta ajo fëlliqësirë që vetë partitë shqiptare e votuan pasi u paguan për këtë shërbim dhe nuk merr guximin të thotë se është koha që gjuha shqipe të gjej vendin e barabartë mes sllavishtes në kushtetutën e vendit.
Por, kjo nuk është vija politike dhe kombëtare që ndjek profani ynë shqiptar i moderuar Bujar Osmani me integristët e tij, sepse e di shumë mirë që për këto lloj kërkesa ‘maksimaliste shqiptaromëdha’ do shkarkohej nga Dhimo Kovaçi dhe për pasojë do humbiste privilegjin e të qënit ministër.
Pra, Bujar mendjemprehti i ka bërë llogaritë se deri ku mund të shkojë rrezja e tij e veprimit dhe se dalja e tij jashtë vijës së kuqe përbën një sakrilegj, veprim që e nxjerr atë në rrugë të madhe si të papërshtatshëm për ministër, kështu trimi ynë Bujari do vazhdojë të jetë i urtë e i butë në qëndrime me besnikëri ndaj padronit të tij.
Prekja e kushtetutës për heqjen e njollës së 20% ndaj shqiptarëve konsiderohet sakrilegj që nuk duhet provuar ndërsa hapja e kushtetutës për t’i përfshirë bullgarët në kushtetutë qënkësh veprim i duhur që duhet bërë për të zbutur qëndrimin e Bullgarisë ndaj vetos në BE!
Ndryshimin në vend nuk e bëjnë dot vetëm integristët edhe nëse ata i bien ‘pishman’ veprimit antikombëtar që bënë me miratimin e kushtetutës, ta zëmë se kushtimisht ‘ata do i brente ndërgjegjja kombëtare’ dhe do kërkonin ndryshimet kushtetuese, por për premierin Dhimo kjo nuk paraqet problem pasi me shqiptarët ata e kanë zgjidhur problemin, kur një parti shqiptare rebelohet dhe del nga koalicioni menjëherë vjen partia tjetër ‘shfalerkë’ që pret pas dere ta zëvendësojë të parën.
Dhe ky është problemi ynë që shqiptarët nuk e kanë zgjidhur këtë ‘nyje gordiane’ si sfidën më të madhe të pabarazisë në ‘Severnën’ tonë, por përkundrazi shqiptarët edhe më tej heshtin dhe një pjesë e madhe nuk e dinë që kjo kushtetutë na quan e na përbuz dhe na injoron si bashkësi shifrash dhe jo me emrin e krenarisë sonë si shqiptarë.
Shqiptarët e ‘Severnës’ nuk kanë një këshill kombëtar mbipartiak që do të vendoste për çështjet e rëndësishme në aspektin kombëtar të vendosej me konsesus çdo akt ligjor që prek të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Përderisa nuk e kemi një këshill kombëtar si instrument që do t’i mbronte interesat kombëtare, shqiptarët do të ngelin të përfaqsuar me servilë dhe antishqiptarë pasi partiçkat tona ia kanë dhënë besën bllokut tjetër se do u shërbejnë atyre deri në vdekje.
Derisa shqiptarët e Severnës nuk duan të zgjohen nga gjumi shumë ujë do ketë rrjedhur mbi ne, kësisoj në të ardhmen tonë jo shumë të ndritur mund të ballafaqohemi me surpriza të pakëndshme si komb.