Bujar Qamili njihet për natyrën e tij të drejtpërdrejtë dhe humorin karakteristik, e këtë herë nuk i ka kursyer prapaskenat e bashkëpunimeve të tij më të bujshme.
I pyetur në një intervistë të fundit rreth dy dueteve të suksesshme me Luana Vjollcën dhe Mateus Frrokun, “Mjeshtri i Madh” i këngës shkodrane dha një përgjigje sa thumbuese, aq edhe të sinqertë.
“S’janë këngëtarë në kuptimin e fjalës, por morën ndihmën e Bujarit, thuaje taman”, – u shpreh këngëtari duke qeshur, për të treguar më pas historinë e padëgjuar se si lindi bashkëpunimi për hitin “Mi dhe flakë mallit tim” me Luanën.
Bujari rrëfeu se gjithçka nisi me një telefonatë nga moderatorja, të cilën fillimisht e mbante mend vetëm si imazh.
“Më merr në telefon… si kujtohesha si emër. Thashë ‘ajo bukuroshja’. Më tha dua të takoj. E takova në Tiranë. Më çoi në një drekë, në një lokal shumë të bukur dhe më thotë: ‘Dua të bëj një duet me ty’,” – tregon Bujari.
Megjithatë, pranimi nuk ishte i menjëhershëm. Këngëtari legjendar tregon se ishte skeptik.
“I them unë, dakord, por kush e ka kompozuar këngën? Nuk e dija që qëllimin e kishte tjetërkund. I thashë: ‘Bëje këngën dhe ma sill të orkestuar. Nëse nuk jam i kënaqur, nuk e bëjmë’.”
Luana e realizoi orkestrimin me një producent të ri në Kosovë dhe rezultati final, siç duket, e bindi menjëherë Bujar Qamilin.
“Kur ma ka pru këngën, kam mbetur jashtëzakonisht i kënaqur. E bëri këngën për sportivitet, të bënte një duet me Bujar Qamilin. Kënga ka shkuar 22 milionë klikime,” – përfundoi ai.
Sot, Bujari thotë se ruan marrëdhënie të shkëlqyera me moderatoren dhe i përgjigjet gjithmonë në telefon, duke lënë pas çdo dyshim fillestar. /Prive




