Britania i kërkon Serbisë të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës për rastin terrorist në Banjskë

Mbretëria e Bashkuar kërkon që Serbia të bashkëpunojë me autoritetet e Republikës së Kosovës për rastin terrorist të së dielës së 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër u plagos, ndërsa u vranë edhe tre terroristë.

Këtë kërkesë e paraqiti te Serbia ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty, i cili po qëndron në vendin fqinj për një vizitë zyrtare.

Sipas një komunikate nga Ambasada britanike në Beograd, thuhet se ai “i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë, si dhe për të përdorur ndikimin e saj në veri të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të dekurajuar dhunën e mëtejshme”, raporton Klankosova.tv.

Docherty ndër të tjera ka dënuar ashpër sulmet ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ndërsa kërkoi që palët të kthehen në dialog.

“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të inkurajojë sjelljen konstruktive në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si çelësi i stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, tha Docherty.

Ministri britanik tha se “ngjarjet e 24 shtatorit paraqesin rreziqe reale për stabilitetin rajonal”.

“Ato rrjedhin nga akumulimi i pakontrolluar i armëve, dhe dështimi për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, qëllimi i të cilit është që të gjitha komunitetet të ndihen të sigurta”, tha zyrtari i qeverisë britanike.

Ai inkurajoi Serbinë dhe Kosovën “që të sillen me përgjegjësi dhe të kthehen urgjentisht dhe me mirëbesim në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Policia e Kosovës, mëngjesin e 24 shtatorit u zu në një pritë teksa një grup terrorist prej mbi 30 personash kishin bllokuar rrugën në fshatin Banjskë. Aty mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Më pas, Policia ndërmori një aksion për neutralizimin e këtij grupi terrorist, që kishin gjetur strehë në Manastirin e Basnjskës.

Nga ky aksion, të vrarë mbetën tre terrorist, ndërsa edhe tre të tjerë janë arrestuar.

Ndaj tyre gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. /Klankosova.tv