Britania do të mbetet përkrahëse e fuqishme e Maqedonisë së Veriut dhe do të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë e re në përkrahje të agjendës reformuese në lëmitë kyçe

Zgjedhjet e 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut, situata në rajon dhe situata globale me pandeminë Covid 19, kanë qenë temat kryesore në intervistën e ambasadores britanike në Shkup, Rashel Gallovej për Gazetën Lajm. Duke komentuar mundësitë për ndryshim kufijsh në rajon, ambasadorja Galovej thekson se historia tregon se zgjidhjet përmes ndryshimit të kufijve shkaktojnë destabilizim dhe precedentë jo vetëm në rajonet ku ndodhin por edhe më gjerë, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar edhe në rajonin tonë, edhe në nivel global, përkrah vlerat e dialogut dhe pajtimit. Ambasadorja Gallovej flet edhe për zhvillimin e raporteve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut pas Brexit-it, duke thënë se Brexit aspak nuk ka ndikuar në këto raporte. E si shembull sjell faktin që këmbimi tregtar mes dy vendeve gjatë vitit të kaluar është rritur për 40 për qind, kurse rritje është duke u shënuar edhe gjatë këtij viti.

Lajm: Do ta fillojmë intervistën me temat që janë aktuale në vendin tonë. Cilat janë përshtypjet tuaja lidhur me zgjedhjet e 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut?

Rashel Gallovej: Duke pasur parasysh situatën aktuale shëndetësore në mbarë botën, zgjedhjet u organizuan nën kushte plotësisht ndryshe në krahasim me herat e kaluara. Ishte për t’u përshëndetur fakti që pamë respektim të protokoleve dhe siguria e qytetarëve ishte në rend të parë ditën e zgjedhjeve.Pavarësisht vështirësive teknike që përcollën zgjedhjet, procesi i përgjithshëm zgjedhor u realizua mirë, siç konstatoi Misioni Special Monitorues Zgjedhor i ODIHR si pjesë e raportit të tyre preliminar. Shpresoj se Qeveria e re do të implementojë reformat e rekomanduara zgjedhore në fazën e hershme të mandatit të saj, duke mbështetur edhe mundësinë qasjes për personat me aftësi të kufizuara, siç është kërkuar nga OJQ Inklusiva.

Lajm: Është arritur marrëveshje për Qeveri me shumicë të dobët në Kuvend. Cilat janë pritjet tuaja? A do të mundet kjo qeveri të ketë kapacitet për të punuar në përballjen me çështjet që na presin siç janë reformat dhe negociatat me BE-në?

Rashel Gallovej: Qeveria e koalicionit ka mandat për të realizuar reformat për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh suksesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, një nga prioritetet e reja qeveritare pa dyshim do të jetë integrimi në BE. Ky është objektivi kyç për Maqedoninë e Veriut dhe qëllim për arritjen e të cilit qeveritë paraprake kanë punuar shumë vite dhe të cilin shumica e partive e kanë në programet e tyre. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha palëve të punojnë sëbashku në Kuvend për të realizuar reformat e nevojshme për përmirësimin e jetës së gjithë qytetarëve.

Lajm: Mbretëria e Bashkuar nuk është më anëtare e BE-së. A mundet vendi juaj ende të mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, ose jo?

Rashel Gallovej: Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e fuqishme e ambicieve të vendit për anëtarësim në BE. Ekziston histori e gjatë e bashkëpunimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut dhe ne vazhdojmë të përforcojmë bashkëpunimin tonë dhe do të punojmë  nga afër me Qeverinë e re në përkrahjen e agjendës reformuese, duke përfshirë lëmit kyçe siç janë tregtia, mbrojtja, qeverija e mirë, shteti ligjor dhe zhvillimi socio-ekonomik.

Lajm: Cilat janë sfidat më të mëdha që na presin në rrugën për anëtarësimin tonë të plotë në BE? Sa i përcillni çështjet historike me Republikën e Bullgarisë dhe a munden këto çështje të shndërrohen në problem të ngjashëm me çështjen e emrit që patëm gati tri dekada?

Rashel Gallovej:  Të qenurit të përkushtuar drejt zbatimit të reformave kryesore në administratën publike, gjyqësor, ekonomi, mjedis dhe arsim janë jashtëzakonisht të rëndësishme.Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit janë synime të larta që arrihen vetëm në shoqëri të drejtë e demokratike dhe rruga e vetme drejt integrimit të suksesshëm në BE.

Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut por edhe për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Suksesi i Marrëveshjes së Prespës pas tri dekadave bllokim, është një shembull i shkëlqyer i progresit në rajon dhe arritje e jashtëzakonshme për Maqedoninë e Veriut. Jemi optimistë se rajoni do të vazhdojë të japë shembuj të fqinjësisë së mirë dhe se marrëveshje të përbashkëta do të arrihen mes dy vendeve, si vazhdimësi e përkrahjes dhe bashkëpunimit të mirë që është vendosur mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Lajm: Si funksionojnë marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut pas Brexit-it? A ka ndodhur ndonjë ndryshim në këto raporte?

Rashel Gallovej: Raportet e fuqishme mes Mbretëriës së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut kanë vazhduar të zgjerohen në shumë lëmi. Marrëdhënia jonë tregtare, e cila arriti rritje 40 për qind vitin e kaluar, vazhdon të rritet. Mbretëria e Bashkuar tashmë veç se është Investitori kryesor i huaj sa i përket investimeve direkte të huaja në Maqedoninë e Veriut, por ne synojmë të bëjmë edhe më tepër. Ne po rrisim numrin e stafit në ambasadën tonë që punon në marrëdhëniet tona tregtare, si pjesë e rritjes së fokusit në rajon të Departamentit të Mbretërisë së Bashkuar për Tregti Ndërkombëtare . Përveç tregtisë, Mbretëria e Bashkuar dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të bashkëpunojnë në shumë fusha tjera, edhe në aspektin bilateral edhe përmes NATO-s.

Lajm: Ku qëndron Mbretëria e Bashkuar lidhur me ndryshimin e mundshëm të kufijve në rajon dhe si mund një situatë e tillë të reflektojë në Maqedoninë e Veriut?

Rashel Gallovej: Historia na tregon se ndryshimet e kufijve mund të kenë efekt destabilizues tek shtetet dhe tek fqinjët e tyre, duke vendosur precedent që mund të shfrytëzohen jo vetëm në rrethin e afërt por edhe më gjerë. Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e fortë e dialogut dhe pajtimit, dhe vazhdon t’i promovojë këto vlera në nivel global dhe në mbarë rajonin.

Lajm: Rajoni po përballet me tensione. A mundet që tensionet në Mesdhe të reflektohen negativisht edhe më gjerë, e madje edhe në vendin tonë apo mund të themi se pas me anëtarësimin tonë në NATO kemi tejkaluar rrezikun që krizat në rajon të përhapen edhe në vendin tonë?

Rashel Gallovej: Të jesh anëtare e NATO-s sjell përfitime të shumta. NATO siguron kornizë të zgjidhjeve paqësore të mosmarrëveshjeve, si dhe bashkëpunim në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë me vendet tjera anëtare. Sfidat në rajon dhe më gjerë kërkojnë afrim të vazhdueshëm dhe kolektiv. Si për shembull me çështjen emigrantëve, Maqedonia e Veriut koordinohet me fqinjët e saj të parë, me vendet anëtare dhe jo anëtare të BE-së, vendet në Evropën veriore dhe në anën tjetër të Mesdheut. Vetëm ky lloj i bashkëpunimit të afërt mund të sjellë e të ruajë stabilitetin dhe sigurinë e vazhdueshme rajonale.

Lajm: Sytë e mbarë botës, por edhe të Maqedonisë së Veriut në këto momente janë drejt Universitetit Britanik të Oksfordit, ku për momentin po testohet vaksina më shpresëdhënëse kundër COVID 19. Kur mund të presim finalizimin e kësaj vaksine? A do të arrijë ajo në Maqedoninë e Veriut njëkohësisht me vendet tjera të BE-së? A kanë kontaktuar autoritetet tona shëndetësore me ju, ose me përfaqësues të Oksfordit për furnizim me vaksinën?

Rashel Gallovej: Jam në kontakt të rregullt me Ministrin e Shëndetësisë, dhe kolegët e mi me përfaqësuesit tjerë në Maqedoninë e Veriut të kyçur në betejën me Covid19. Vaksina e Oksfordit  është një nga vaksinat që po testohen si pjesë e mekanizmit global vaksinues COVAX. Mbretëria e Bashkuar është përkrahëse e fuqishme e COVAX si metodë kolektive për të zhvilluar dhe për të shpërndarënjë vaksintë suksesshme për përdorim global. Që të jetë ajo vërtetë e suksesshme, kyçe do të jetë pjesëmarrja e gjerë në mbarë botën. Sa më shumë vende të marrin pjesë, më shumë resurse do të jenë në dispozicion. Nëse një vend hyn në COVAX si vend vetë-financues, kjo do të u mundëson atyre qasje te vaksinat kur ato të jenë të gatshme, në pajtim me kërkesat e tyre vendore.

Lajm: Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka mbështetur Maqedoninë e Veriut me ndihma shëndetësore në përballjen me pandeminë e Covid 19. A mund të presim mbështetje të tillë edhe në furnizimin me vaksinën kundër COVID19?

Rashel Gallovej: Besoj se mundësia më e mirë për të siguruar vaksinë të sigurtë dhe efikase do të jetë përmes mekanizmit COVAX. Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në lëmitë e tjera duke përfshirë përkrahjen e grupeve më të prekura negativisht nga COVID19.

Lajm: Sapo jeni kthyer nga pushimet. A mund të bëni një krahasim mes Kovid situatës në Britani dhe në vendin tonë?

Rashel Gallovej: Pata një pushim fantastik COVID-të sigurt duke shfrytëzuar kënaqësitë që ofrojnë fshatrat e mrekullueshme të Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, meqë qëndrova në Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë, nuk mund të bëj krahasim të drejtpërdrejtë me Mbretërinë e Bashkuar, në kuptimin se si duket ajo në të dyja vendet, por shumë gjëra janë të ngjashme: pasiguria, shqetësimi, dhe kuptohet, pritja e vaksinës. Demografia dhe situata në këta dy vendet nuk është e njëjtë, dhe virusi është shpërndarë në mënyra të ndryshme, kështu që Mbretëria e Bashkuar është dashur të zbatojë masa në periudha të ndryshme nga Maqedonia e Veriut. Mirëpo, masat, siç janë mbajtja e maskave, puna e mësimi nga shtëpia dhe higjiena e plotë,janë masa që i kemi parë në të dyja vendet, ashtu siç i kemi vërejtur në mbarë botën, për të ngadalësuar shpërndarjen.

Intervistë për Gazetën Lajm