Britania dhe BE-ja do të vazhdojnë bisedimet për Brexit-in

Britania dhe Bashkimi Evropian do të rinisin bisedimet më 6 dhjetor në Bruksel, me qëllim që të tejkalojnë një ngërç para se të përfundojë periudha e tranzicionit të Brexit-it më 31 dhjetor.

Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe shefja e BE-së, Ursula von der Leyen janë pajtuar që të zhvillojnë bisedime, duke thënë se negociatorët do të bëjnë përpjekje për të finalizuar marrëveshjen.

Ekipet e negociatorëve të BE-së dhe Britanisë nuk arritën pajtim më 4 dhjetor.

Të dyja palët vazhdojnë të kenë “dallime të theksuara” në disa çështje kyçe, që kanë zvarritur procesin, thuhet në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Johnson dhe von der Leyen.

“Teksa pranojmë seriozitetin e këtyre dallimeve, ne ramë dakord që ekipet tona negociatore duhet të bëjnë edhe një përpjekje”, shtuan ata.

“Prandaj, ne do të instruktojmë shefat e ekipeve tona negociatore që të takohen në Bruksel. Ne sërish do të bisedojmë të hënën në mbrëmje”, thuhet në deklaratë.

Britania është larguar nga BE-ja më 31 janar, por shteti ka vazhduar që të tregtojë me bllokun në kushtet e njëjta si më parë.

Dështimi për të arritur një marrëveshje deri më 31 dhjetor mund të rezultojë në një divorc “pa marrëveshje” e cila mund të krijonte kaos në kufijtë e Britanisë dhe në sektorin e tregtisë, për shkak të tarifave dhe masave të tjera.