“Brigada e Veriut” kërcënon me jetë zyrtarë institucionalë në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka raportuar se në Zubin Potok përmes rrjetit social janë kanosur me jetë zyrtarë institucionalë nga organizata terroriste e ashtuquajtur “Brigada e Veriut”.

Rasti është cilësuar si “kryerje e veprës penale terroriste”.

“Raportohet se nga organizata terroriste e ashtuquajtur “Brigada e Veriut” përmes rrjetit social, janë kanosur me jetë zyrtarë institucionalë”, thuhet në raportin policor.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse policore.

Përndryshe, institucionet e Kosovës kanë nisur të martën gërmimet në fshatin Kalludër i Vogël të komunës së Zubin Potokut, pas dyshimeve për një lokacion ku mund të gjenden mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Gërmimet në fjalë pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se procesi po zhvillohet me kërkesë të saj dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për zhvarrosjen, autopsinë dhe identifikimin e mbetjeve.

Nga Prokuroria u njoftua gjithashtu se dy personat e arrestuar të martën në rajonin e Mitrovicës, me inicialet M.J. dhe M.B., dyshohen për ndërlidhje me këtë rast dhe për vepra penale të krimeve të luftës.

Hetimet për rastin janë në vazhdim, ndërsa procesi i gërmimeve në lokacionin e dyshuar në Zubin Potok pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Qeveria e Kosovës në qershor të 2023-ës e shpalli “Brigadën e Veriut” (“Severna Brigada”), së bashku me organizatën “Mbrojtja Civile” (“Civilna Zastita”), organizatë terroriste.

Vendimi u mor pas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë, të cilat i konsideruan këto formacione ilegale serbe si kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Shpallja erdhi pak javë pas përleshjeve të 29 majit 2023 në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb sulmuan pjesëtarë të KFOR-it.

Pas vendimit, “Brigada e Veriut” reagoi duke deklaruar se nuk do të largohej nga Kosova dhe se do të vazhdonte të luftonte për atë që e quante “Serbinë dhe unitetin”.

Emri i grupit u rikthye në vëmendje edhe pas sulmit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vdekur zyrtari policor tashmë i shpallur hero, Afrim Bunjaku.