Pas vlerësimit të kërkesës për mbështetje të likuiditetit të parashtruar nga Banka Popullore, Banka Qendrore Evropiane (BQE) iu përgjigj pozitivisht kërkesës duke aprovuar një repo-linjë bilaterale.




“Bankës sonë qendrore i mundësohet të përdorë mjetet likuiditeti në vlerë deri në 400 milionë EUR, nëse është e nevojshme, në formën e transaksionit repo për periudhën deri në mes të vitit të ardhshëm, ose sipas nevojës. Duke vepruar kështu, BQE e ka treguar gatishmërinë e saj për ta mbështetur Bankën Popullore përballë krizës së shkaktuar nga pandemia e Kovid-19”, qëndron në kumtesën e Bankës Popullore.
Guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angellovska-Bezhoska beson se vendimi pozitiv dhe linja repo e aprovuar janë një konfirmim i, siç thotë ajo, gatishmërisë sonë si një bankë qendrore për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur dhe në kohë sfidave të kësaj krize dhe për ta ruajtur me sukses stabilitetin makro-financiar.
Në emër të Bankës Popullore, Guvernatorja e falënderoi BQE-në për besimin dhe mbështetjen e saj.
“Banka Popullore do të vazhdojë çdo ditë ta japë kontributin e saj maksimal në ekonominë e Maqedonisë dhe qasjen e saj ndaj familjes së madhe evropiane. Edhe gjatë krizës së koronës, ajo vazhdon në rrugën që çon në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore”, theksohet në kumtesën e Bankës Popullore.