“Bota është lodhur nga marrëzitë e tua”, protesta në gjithë Evropën kundër Trumpit

Njerëz anembanë Evropës protestuan kundër presidentit amerikan Donald Trump dhe këshilltarit të tij Elon Musk sot, pas një jave të trazuar në tregjet financiare shkaku i tarifave gjithëpërfshirëse globale të Trumpit.

Në Frankfurt të Gjermanisë, grupi Democrats Abroad, organizata zyrtare e Partisë Demokratike për qytetarët amerikanë që jetojnë jashtë, organizoi protestat “Hands Off”.

Në Berlin, jashtë një dyqani Tesla, protestuesit mbanin pankarta që u bënin thirrje amerikanëve që jetojnë në Gjermani të protestojnë për t’i dhënë fund kaosit.

Bëhet e ditur se në një tubim në Opernplatz të Frankfurtit, protestuesit kërkuan dorëheqjen e presidentit amerikan, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Rivendosni demokracinë”, “Larg duart nga të dhënat tona personale” dhe “Bota është e lodhur nga marrëzitë tuaja Donald, largohu”.

Në Berlin, shiheshin parulla drejtuar Musk si “Mbylle Elon, askush nuk votoi për ty”.

Protestuesit në Paris, kryesisht amerikanë, u mblodhën në Place de la Republique kundër Trumpit.

Disa mbajtën fjalime për të denoncuar presidentin, duke valëvitur pankarta ku shkruhej “Rezistoni tiranit”, “Sundimi i ligjit”, “Feministët për lirinë, jo për fashizmin” dhe “Shpëtoni demokracinë”.

Ndryshe, protestat kundër Trump dhe Musk u mbajtën edhe në qytete të tjera evropiane, duke përfshirë Londrën dhe Lisbonën.