Boshkov: Boki 13 më ka kërkuar 2 milionë euro

Dëshmitari Sashko Boshkov në gjykimin për rastin “Reket” deklaroi se i akuzuari kryesor në këtë çështje, Bojan Jovanovski i ka kërkuar 2 milionë euro për të shpëtuar kumbarin e tij Zoran Mitrevski, nga rastet e PSP-së. Ai gjatë dëshmisë së tij tha se me Boki 13 është takuar vetëm dy herë dhe nuk ka kontaktuar më asnjëherë, as edhe dëgjuar në telefon. Takimin e parë tha se e kanë zhvilluar në muajin shkurt të vitit 2018. Ndërsa vetëm pas asaj, në muajin nëntor kanë zhvilluar edhe takimin e dytë. Për këtë Boshkov tha se e ka informuar një mik i tij Vllado Ilievskin, i cili e njeh edhe Bokin 13.

“Më tha se do të takohemi me Bokin 13, në hapsirat e televizionit 1TV. Vllado Ilievski më mori në telefon, me të njihemi prej kohësh. Ai më tha jam në Maqedoni, na ka ftuar Boki 13. Shkuam në 1Tv me veturën time, takimin e kishim lënë në orën 15:00. Sa hymë aty, Boki më tha ju njiheni me Zoran Mitrevskin apo jo. I thash që e kam kumbar. Më tha se ky person ka lëndë në PSP, i thash që po e di për rastin ‘Banka Postare’. Më tha, ai ka më shumë lëndë, por nuk më kujtohet nëse më tha se përveç kësaj ka edhe 4 lëndë tjera, ose në total ka 4 lëndë. Pas kësaj foli me dikë në telefon, nuk e lëshoi në autoparlant. Me aq sa munda të dëgjoj ishte një zë femre. Pastaj më tha për këtë mund të bëjmë diçka, por kjo duhet të paguhet 2 milionë euro, u trondita dhe e përfunduam takimin aty, tha Boshkov.