Borxhi “shpërthen” mbi 10 miliardë € – paralajmërohet krizë ekonomike

Mbi 10 miliardë euro borxh publik, kredi të reja dhe huazime të vazhdueshme – shteti vazhdon të marrë fonde të reja, të cilat në fund i paguajnë qytetarët. Huaja e fundit arrin në 260 milionë euro dhe sigurohet nga banka të huaja. Sipas ekonomistit Ali Maksuti, këto huamarrje mund të çojnë në ngecje ekonomike, përkatësisht ulje të investimeve dhe ngadalësim të zhvillimit ekonomik.

“Kur shteti vazhdon të marrë borxhe për të mbuluar deficitin buxhetor, atëherë mund të paraqitet stagnim ekonomik për vendin, ku nuk do të kemi investime në fusha të ndryshme si arsimi, shëndetësia apo edhe investimet kapitale. Por, nëse kjo kredi është për investime kapitale, atëherë kreditë nuk janë gjithmonë negative, ato mund të jenë edhe pozitive kur orientohen për investime kapitale. Megjithatë, Qeveria ende nuk ka dhënë të dhëna nëse kjo kredi është marrë për mbulimin e deficitit buxhetor apo për investime kapitale,” tha Ali Maksuti, ekonomist.

Sipas Maksutit, me huamarrjet e reja Maqedonia e Veriut nuk do ta arrijë rritjen ekonomike të planifikuar në fillim të vitit. Për më tepër, kjo situatë mund të çojë edhe në krizë ekonomike në shtet.

“Për qytetarët, nëse Qeveria arrin t’i mbajë nën kontroll çmimet dhe nga ana tjetër realizon rritjen e planifikuar mesatare të pagave, atëherë situata mund të përballohet. Por, deficiti buxhetor do të rritet edhe më shumë, ndërsa borxhi publik do të rritet më tej në raport me prodhimin e brendshëm bruto të vendit kurse qytetarët do ta ndjejnë këtë krizë ekonomike”. – Ali Maksuti, ekonomist.

Borxhi publik i Maqedonisë arrin në mbi 10 miliardë, prej të cilave mbi gjysma janë hua nga jashtë, ndërsa pjesa tjetër nga bankat vendore. Kështu, borxhi publik përbën pothuajse 60% të prodhimit bruto vendor. /Alsat.mk