Borrell: Dialogu s’do të jetë i lehtë, por është i domosdoshëm

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, pak para se të fillojë takimi Kosovë-Serbi në Bruksel, ka thënë se këto bisedime nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme për të ardhmen e dy vendeve, transmeton Insajderi.

Borrell është shprehur i lumtur që ky takim po zhvillohet në të njëjtën kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, po viziton Evropën.

“Sot bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakun, do të organizojmë një takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Jam i lumtur që po ndodh në të njëjtën kohë kur BE-ja takohet me presidentin amerikan Joe Biden. Është kënaqësi të pres në Bruksel, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurit, jo larg pas takimeve të shkuara. Inkurajoj të dy palët të vazhdojnë dialogun pa vonesa e të fokusohen në rezultate pavarësisht të gjitha vështirësive. Dialogu s’do të jetë i lehtë, por procesi është i domosdoshëm për popujt e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai në konferencën para takimit.

Borrell më tej tha se dialogu dhe rezultati I tij është rruga drejt së ardhmes evropiane për këto dy vende, ndërsa shton se një marrëveshje përfundimtare është në të mirë të stabilitetit të përgjithshëm rajonal.

“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes evropiane. Në të njëjtën kohë, ka sjellë rezultate të rëndësishme për popujt. BE-ja dhe unë jemi të interesuar të shohim progres të shpejtë e të lëmë të kaluarën prapa, të arrijmë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe të bëjmë të ardhmen evropiane një realitet. Është momentum i ri dhe duhet ta shfrytëzojmë. Është momentum i ri në BE për të Ballkanin Perëndimor. Është mundësi për të gjithë rajonin. Jo vetëm për Kosovën e Serbinë sepse marrëveshja mes tyre është në të mirë të stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, tha Borrell.