Borisov bën thirrje për heqjen e vetos

Ish-kryeministri bullgar dhe lider i partisë Qytetarë për zhvillim evropian të Bullgarisë (GERB), Bojko Borisov sot i bëri thirrje kryetarit të Qeverisë së Bullgarisë, Kiril Petkov që zyrtarisht t’ia parashtrojë Kuvendit popullor propozimin e kryesimit francez me BE-në për zhbllokim të procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut.

Në brifing të jashtëzakonshëm në selinë e GERB-it, Borisov deklaroi se Grupi i deputetëve të partisë, i cili numëron 59 deputetë, do ta mbështesë “propozimin francez” në mbledhje plenare të kuvendit.

“Propozimi i kryesimit francez me BE-në për Maqedoninë e Veriut është më i miri”, tha Borisov, duke u dakorduar me deklaratën e dhënë më parë të presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev rreth propozimit të Francës.

Radev paradite nga Plovdivi porositi se “propozimi francez” është më i mirë për Bullgarinë, por se politikanët bullgarë nuk duhet të përshpejtojnë të shpallin fitore historike, sepse dokumentet e propozuara nuk japin mjaft garanca për mbrojtjen e interesave të Sofjes.

Borisov, nga ana e vet, propozoi që “propozimi francez” të miratohet me shumicë të madhe në Kuvendin popullor të Bullgarisë me mbështetje të deputetëve nga partitë në pushtet “Vazhdojmë me ndryshimin” e Petkovit dhe Bullgarinë Demokratike (DB) dhe Lëvizjen opozitare për të drejta dhe liri (DPS).

Sipas Borisovit, mbështetja për propozimin e kryesimit francez është zgjidhja më e mirë për “të ardhmen e Ballkanit, BE-në dhe për Bullgarinë”.

Borisov, me atë rast e lexoi edhe vendimin e Sinodit të shenjtë të Kishës ortodokse bullgare me të cilin e njeh Kishën ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvinë e Ohrit dhe hyn në unitet kanonik me të, duke e krahasuar vendimin e këtillë me qëndrimin e GERB-it për mbështetje të “propozimit francez”.

“Nuk do të qëndrojmë në anën e errët të Euroazisë dhe nuk do të lejojmë putinizim”, ishte decid Borisovi, duke paralajmëruar se GERB-i në Kuvend do t’i mbështesë të gjitha vendimet nga agjenda e Bullgarisë me të cilat do të garantohet orientimi i saj euroatlantik, siç janë inkuadrimi drejt Eurozonës, zgjerimi i BE-së me vendet nga Ballkani Perëndimor dhe përforcimi i rolit të NATO-s.