Borel: Duhet ta lidhim Ballkanin Perëndimor për BE-në

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Xhozep Borel, thotë se prioritet i punës së tij në krye të diplomacisë evropiane do të jetë afrimi i Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si dhe arritja e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Në vend të parë duhet fuqishëm të lidhim Ballkanin Perëndimor për Bashkimin Evropian”, thekson Borel në letrën drejtuar deri tek ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, para seancës së parë të Këshillit të Punëve të Përgjithshme të BE-së para udhëheqjes së tij.

Në letrën ku përshkruhen pikëpamjet e tij mbi prioritetet dhe mënyrat e punës, të lidhura me politikën e jashtme dhe politikën e sigurisë së Bashkimit Evropian, Borel thekson që “fqinjësia e afërt” duhet të jetë një nga prioritetet e BE-së.

“Ndërprerja i konflikteve dhe shërimi i plagëve në mjedisin e afërt është gjithashtu i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e vetë BE-së”, konsideron Borel.

Ai thekson se është e rëndësishme që vendet anëtare të BE-së të akordohen sesi do të udhëheqin procesin e zgjerimit, duke shtuar që për këtë çështje do të punojë së bashku me ministrat e Punëve të Jashtme dhe me komisarin për zgjerim, Oliver Varheji.

Në pjesën për “fqinjësi të drejtpërdrejtë me BE-në”, Borel thekson gjithashtu se, përveç zgjerimit, ai do t’i përkushtohet edhe arritjes së “marrëveshjes gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe vendosjen e Bosnjë dhe Hercegovinës në rrugën drejt stabilitetit të vërtetë”.