Borel: BE-ja duhet të ketë pavarësi shëndetësore

Evropa duhet të nxjerrë një mësim nga kriza e koronës dhe ta garantojë pavarësinë e saj strategjike në zonat kyçe siç janë prodhimtaria e ilaçeve, rezervat, e madje edhe zhvendosja e prodhimtarisë, ka thënë shefi i diplomacisë evropiane Zhozep Borel.
“Nuk është normale që Evropa të mos prodhojë asnjë gramë paracetamol, ndërsa Kina të sigurojë 80 për qind të prodhimtarisë botërore të antibiotikëve”, u tha Borel disa gazetave ditore evropiane.
“Deri më tani, kemi menduar se nuk është me rëndësi ku prodhohen produktet, se tregu botëror furnizon gjithçka, në çdo kohë dhe gjithkund”, sqaroi shefi për politikë të jashtme të BE-së, duke shtuar se kjo është treguar si gabim në kohë të krizës.
Kriza e sanuar lidhur me paraqitjen e koronavirusit në evropë e ka rritur konsumin dhe shkaktoi prishje të zinxhirit të furnizimit.
Për momentin, 80 për qind e substancave aktive që shfrytëzohen për ilaçe në BE vijnë nga vendet e treta, veçanërisht India dhe Kina, thuhet në raportin për Senatin francez për vitin 2018.
“Nuk them se secili duhet të prodhojë gjithçka, në mënyrë të pavarur, por zinxhiri i furnizimit duhet të jetë më i shkurtë dhe pse të mos ketë qendra prodhuese në afërsi. Pse të mos prodhojmë një pjesë të nevojave tona në Afrikë, e cila është shfrytëzuese gjithnjë e më e madhe e ilaçeve”, vazhdoi ai.
“Pandemia e tregoi edhe nevojën për furnizim strategjik me pajisje mjekësore, siç tani ekzistojnë rezervat strategjike të naftës”, shtoi Borel./MIA