
Sot në Kosovës do të mbajë mot i vranët e me kushte për reshje të borës.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) temperaturat minimale do të lëvizin në mes të -5 e -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet në mes të -1 e 1 gradë.
Sipas parashikimit do të fryjë erë nga juglindja 1-7m/s.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik pas fillimit të reshjeve të borës, pas atyre të shiut dhe ngricave të mundshme në rrugë.
Policia ka apeluar që të mbahet distanca e sigurisë mes mjeteve, të përshtatet shpejtësia me kushtet e rrugës e të ngadalësohet gjatë ngasjes në rrugë me shi të mbuluara me borë e akull.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të shiut e të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë nga të reshurat e shiut dhe në rrugë të mbuluara me borë dhe me mundësi të paraqitjes së ngricave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Edhe IHMK-ja të mërkurën në mbrëmje ka paralajmëruar për ndryshim të theksuar kushteve meteorologjike.
Instituti ka paralajmëruar rrezik nga ngricat në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë
“Fillimisht, reshjet e borës do të shfaqen në viset kodrinore dhe malore, ndërsa më pas, me avancimin e ajrit të ftohtë, bora pritet të përfshijë edhe viset e ulëta, duke krijuar shtresa bore edhe në zona fushore. Në viset malore, reshjet e borës tashmë janë të pranishme dhe në disa lokalitete po shënohen reshje të dendura, të cilat do të vazhdojnë edhe në orët dhe ditët në vijim”, thuhet në njoftim.
Temperaturat minimale thuhet se do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.
“Kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë. Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftim.
Vështirësitë më të theksuara në komunikacion thuhet se priten në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku mund të ketë rrëshqitje dhe ngrirje të shpejtë të sipërfaqeve rrugore.



