Po presin radhën për të marrë bukë.
Moti i ligë ka lanë shumë njerëz të bllokuar në qytetin më të madh të Turqisë, Stambollin.
Fluturimet nga Stambolli dhe anasjelltas janë pezulluar për të dytën ditë me radhë. Shumë turistë natën e kaluan në aeroport.
Përveç fluturimeve kolona të stërgjata u krijuan edhe nga makinat. Ndërkaq automjetet tjera që vozisnin për shkak të dëborës nuk mund ta mbanin baraspeshën.
Tv21 pyeti në MPJ nëse ka bashkështetas tanë të bllokuar në Stamboll. Prej atje na thanë se nuk është regjistruar asnjë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut i rrezikuar në Turqi.
“Ministria e Punëve të Jashtme po e ndjek me kujdes situatën lidhur me motin e keq në Republikën e Turqisë, përmes Ambasadës në kryeqytetin turk, Ankara, si dhe Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll. Sipas informacioneve të deritanishme të marra nga përfaqësitë tona diplomatike e konsullore, nuk është regjistruar asnjë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut i rrezikuar në Turqi”, thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Nga ky dikaster u bënë thirrje qytetarëve tanë që ndodhen në Turqi, nëse kanë nevojë për ndihmë t’i kontaktojnë përfaqësitë diplomatike konsullore.
Autoritetet turke vendosën sot që mbyllja e aeroportit të zgjatet akoma edhe më shumë.
Çatia e njërit prej terminaleve të tij të mallrave u shemb, e ndonëse nuk shkaktoi lëndime, ajo u bë shkas për ndalimin e fluturimeve nga Lindja e Mesme dhe Afrika në Euvropë e Azi.
Reshjet e borës filluan në fund të javës së kaluar dhe u rritën ditët e fundit. Para dy ditësh të paktën 3 vetë kanë humbur jetën në aksidente rrugore, ndrsa 18 vetë u lënduan kur një shofer autobusi në provincën veriore të Tokatit humbi kontrollin e mjetit, i cili më pas përfundoi në një kanal dhe u përmbys.