Një 27-vjeçar nga Gostivari është arrestuar pasi është kapur duke drejtuar motoçikletën me 188 km/h në autostradën Gostivar–Tetovë, në një segment ku shpejtësia maksimale e lejuar është vetëm 80 km/h.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rasti është regjistruar dje, rreth orës 16:20, kur policia rrugore, me ndihmën e një automjeti special për kapjen e kundërvajtësve në trafik, ka ndaluar një motoçikletë të markës “Yamaha”, me targa të Gostivarit.
Drejtuesi me inicialet V.B. është privuar nga liria nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
Policia ka ndërmarrë masat përkatëse, ndërsa ndaj tij do të vijojë procedura ligjore.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se kontrollet e përforcuara me automjete speciale do të vazhdojnë në të gjithë vendin, me qëllim zbulimin dhe ndëshkimin e shoferëve të papërgjegjshëm.
Autoritetet paralajmërojnë se tejkalimi i shpejtësisë së lejuar është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, të cilat mund të sjellin pasoja të rënda për pronën, shëndetin dhe jetën e njerëzve.
MPB-ja u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe kufizimet e shpejtësisë.





