Bojkotimi i zbatimit të Marrëveshjes

Shkruan:

As një javë nuk kaluan pas dakordimit verbal të Kryeminsitrit Kurti dhe Presidentit Vučić, të arritur në Ohër  (Maqedoni e Veriut), me 18 mars, për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të kuptuar që në të vërtetë, asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e Serbisë së Aleksandar Vučićit ndaj këtij procesi.

Presidenti i Serbisë nuk bëri gjë për t’i bindur  (lexo: për t’i urdhëruar), udhëheqësit e ‘Listës Serbe’ që ky entitet politik të regjistrohet në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat e Veriut të Kosovës, me 23 prill.

Këto zgjedhje u shkaktuan, siç dihet, me vendimin e Vučićit, të shpallur në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, që zyrtarët, policët, prokurorët dhe gjykatësit serbë të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kriza politike dhe e sigurisë që pasoi në muajin dhjetor, ishte njëri prej shkaktarëve kryesorë që BE dhe SHBA ngarendën, prej janarit të këtij viti e tutje, që sa më parë që është e mundur të arrihet Marrëveshja themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe të fillojë ndërmarrja, gjithsesi e ndërlikuar, e normalizimit të marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve.

I logjikshëm dhe i kuptueshëm, nga pikëshikimi i Brukselit dhe Washingtonit, ka qenë qëndrimi që kur palët, apo, Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vučić të pajtohen për Marrëveshjen bazë dhe Aneksin e zbatimit të saj, do të nisin të ndërmerren hapat konkret për jetësimin e saj.

Për më shumë, në ditët e kaluara të kësaj jave, nga të gjitha anët, duke kulminuar me konkluzat e Këshillit Evropian, u është bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që me urgjencë të nisë jetësimi i kësaj Marrëveshjeje, në plotëninë e saj, pra, i të gjitha neneve të saj.

Njëri prej detyrimeve kryesore të Kosovës, siç dihet prej të gjithë neve, përkon me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, sekush që ka dije dhe përvojë politike, e di mirë që kusht për të ecur para në këtë drejtim, në kornizën kohore që matet me muaj, është që në katër komunat e Veriut të legjitimohen udhëheqësit e saj, si kryetar të komunave dhe si asambleistë komunal, gjë që mund të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike, të cilat, dora në zemër, janë dukuri ende e paparë në këto katër komuna të Veriut për shkaqe të njohura për të gjithë.

Ky kusht i kuptueshëm dhe lehtë i justifikueshëm, pësoi një zhvlerësim të qëllimshëm nga ana e ’Listës Serbe’ dhe Presidenti i Serbisë, duke kthyer gjithë procesin mbrapsht, apo, duke pohuar që krijimi i Asociacionit është parakusht për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale.

Në këtë mënyrë, në të vërtetë, Vučić dhe ’Lista Serbe’ nuk po i bojkotojnë zgjedhjet lokale në Veri dhe institucionet e Kosovës, por këta po e bojkotojnë dhe po e pengojnë jetësimin e Marrëveshjes për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të Aneksit të saj.

Ky lexim i zhvillimeve të ditëve të fundit në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kontekstin e Marrëveshjes verbale të Ohrit, nuk mund dot të mohohet dhe as të kontestohet.

Serbia e Presidentit Vučić po sillet pra thuajse asgjë nuk ka ndodhur, thuajse asgjë nuk është dakorduar, së pari në Bruksel, me 27 shkurt, e pastaj në Ohër, me 18 mars, teksa diplomatët dhe politikanët kryesorë perëndimorë pandërprerë prej të shtunës së kaluar kanë theksuar që fjala është për Marrëveshje ligjërisht obligative, e cila ka krijuar detyrime të pashmangshme për te dy palët.

Me një qasje të këtillë të Vučić dhe pushtetit të Serbisë ndaj kësaj Marrëveshjeje dhe ndaj Aneksit të saj, do të jetë tepër vështirë të ecet para në këtë proces i cili edhe ashtu do të hasë në telashe të shumëfishta.