Blushi: Bashkimi – e vetmja mundësi që Kosova e Shqipëria të mbijetojnë

“Shqipëria po bëhet një vend më i vogël, shumë njerëz po ikin. Kosova është një vend depresiv, i izoluar, i vetmuar. Këtë përshtypje pata kur erdha. E vetmja mundësi që këto dy vende të mbijetojnë dhe të kenë një energji, të fitojnë energji dhe diaspora jonë të rikthehet për të bërë Shqipërinë dhe Kosovën, është bashkimi”, thotë shkrimtari e politikani Ben Blushi. Në një intervistë për KOHËN ai ka folur për rrëfimin e tij nga Ukraina që e sjell edhe në Prishtinë, për letërsinë, gjuhën standarde, kosovocentristët që po e izolojnë Kosovën. Është përgjigjur në pyetjen se ku janë shqiptarët në 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Në Prishtinë, Ben Blushi ka ardhur për të shpalosur nëpërmjet imazhesh një rrëfim të tijin nga Ukraina. Është një rrëfim në kontrast, rrëfim paqeje. Shkrimtari, autor i një sërë librash, i njohur veçmas për “Të jetosh në ishull” që theu rekorde, ka një arsye që i është rrekur fotografisë, ani se nuk e ka braktisur shkrimin. “Sot jetojmë në botën e imazhit, jo në botën e shkronjës”, thotë Blushi një në intervistë për KOHËN, në të cilën pos për ekspozitën e tij në Muzeun Kombëtar të Kosovës, flet për librin, për gjuhën standarde e për politikën. Pesimizmin e lidh edhe me ikjen prej leximit, por pesimiste i duken edhe Kosova, edhe Shqipëria. Evropa në përgjithësi. E që shqiptarët të mbijetojnë, Blushi thotë se duhet të bashkohen. “Shqipëria po bëhet një vend më i vogël, shumë njerëz po ikin. Kosova është një vend depresiv, i izoluar, i vetmuar. Këtë përshtypje pata kur erdha. E vetmja mundësi që këto dy vende të mbijetojnë dhe të kenë një energji, të fitojnë energji dhe diaspora jonë të rikthehet për të bërë Shqipërinë dhe Kosovën, është bashkimi. Nuk ka ngelur asnjë projekt tjetër”, thotë Blushi.

KOHA: Zoti Blushi, mirë se erdhët në Prishtinë! Është dinamike Prishtina këto ditë. Ka tensione, kam parasysh situatën politike…Si ju duket Juve?

Blushi: Ne të Shqipërisë jemi mësuar me kriza në Shqipëri dhe konflikte politike si andej, si këndej në Kosovë dhe kjo është normale. Shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt.

KOHA: Megjithatë, kryefjala e ardhjes suaj – dhe arsyeja përse jemi në Muzeun Kombëtar të Kosovës – është ekspozita juaj fotografike “Ukraina në 10 orë”. Pas Tiranës ekspozita hapet edhe këtu. Përtej asaj që shihet nëpërmjet imazheve, cili është rrëfimi prapa tyre?

Blushi: Kjo ekspozitë ishte e hapur në Tiranë për rreth një muaj dhe unë këmbëngula dhe kisha shumë dëshirë të vija edhe në Prishtinë. Prandaj erdha me mbështetjen e Ambasadës këtu dhe të disa miqve. Pata mundësi të sillja një pjesë të madhe të fotografive. Në Tiranë ekspozita përbëhej nga 70 vepra, ndërsa këtu, për shkak të ambientit, ka pothuajse gjysmën. Por veprat më përfaqësuese janë këtu. Ato përpiqen ta tregojnë Ukrainën që pashë unë, në mes të konfliktit me Rusinë. Unë kam qenë në Ukrainë në qershor të këtij viti. Pra, rreth pesë muaj më parë kur konflikti ishte shumë më i kombëtarizuar apo medializuar sesa që është sot. Kjo ekspozitë mundohet të tregojë anët e luftës, zonat e bombarduara nga ushtria ruse dhe vendet ku u vranë shumë njerëz fatkeqësisht, në qytetet Borodyanka dhe Irpin. Por në një pjesë të madhe të ekspozitës duket sikur shohim një qytet normal që është Kievi. Kryeqyteti që pashë unë ishte një qytet që jetonte me luftën, por pa luftë. Pra, kjo tregon se ka dy anë në Ukrainë, një pjesë paqeje, një pjesë konflikti të cilat bashkëjetojnë me njëra-tjetrën dhe e ndihmojnë njëra- tjetrën. Fatmirësisht jo në çdo zonë të Ukrainës luftohet sot. Luftohet në lindje. Kievi është qytet që jeton në panik, por nuk ka luftë në Kiev dhe po të shikoni në fotografitë e ekspozitës ka shumë njerëz të qeshur: duke u puthur, duke u përqafuar, duke pirë kafe, cigare, duke mbajtur radhë për të ngrënë një sandviç, dhe kjo është pjesa paqësore e Ukrainës që unë doja t’ia tregoja publikut në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Kosova është fronti i dytë më delikat në Evropë, mbas Ukrainës…”

KOHA: Sa komunikojnë këto fotografi me Kosovën kur kemi parasysh që lufta e fundit në Evropë, para asaj në Ukrainë, ishte në Kosovë më 1998-1999?

Blushi: Kjo është edhe arsyeja pse desha të vija në Kosovë, sepse isha i bindur që ky konflikt kuptohet mirë në Kosovë. Lufta e fundit që ndodhi në Evropë ishte ajo në Kosovë, në vitin ‘99. Ky konflikt është përgjithësisht i ngjashëm, pavarësisht se atje po zgjat më shumë se këtu, që fatmirësisht zgjati shumë shkurt. Në Ukrainë po bëhet gati një vit prej kur ka shpërthyer lufta. Pavarësisht kësaj, unë doja ta sillja këtë ekspozitë në Kosovë për dy arsye: së pari, sepse Kosova e kupton ç’do të thotë një konflikt i armatosur, ç’do të thotë që civilët të sulmohen nga një ushtri e huaj apo nga një ushtri armike dhe këto i ka vuajtur vetë e edhe sot ka kërcënime përditë që fatkeqësisht mund të sjellin trazira në Kosovë, por shpresoj që të mos ndodhë.

E dyta, po luftohet edhe për Kosovën, po luftohet edhe për ne shqiptarët. Do ta them këtë gjë shumë hapur. Fronti ruso-ukrainas është fronti midis Lindjes dhe Perëndimit. Aty lufton Lindja, e cila nuk ka qenë e favorshme për shqiptarët. Rusia nuk ka qenë një aleat i shqiptarëve historikisht dhe nuk është as sot. Ajo është aleat i serbëve. Dhe në qoftë se Rusia e fiton luftën, vendet tona nuk do të kenë ditë të mira, aq më pak Kosova. Kosova është fronti i dytë më delikat në Evropë, mbas Ukrainës. Për fat të mirë nuk është një zonë konflikti e armatosur, por është një zonë konflikti permanent që mund të shpërthejë nga dita në ditë. Dhe në qoftë se Rusia e fiton luftë, që me sa duket për fatin tonë të mirë e të Ukrainës nuk do ta fitojë, demokracitë tona do të kenë probleme. Në qoftë se dallga ruse përmbyt Ukrainën, do të vijë shumë shpejt edhe në Kosovë. Kjo do ta trimëronte më shumë Serbinë, e cila do të bëhej më e ashpër për të fituar të drejtat që i ka humbur në Kosovë. Pra, ne si popuj të Ballkanit, shqiptarët në përgjithësi, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, kanë zgjedhur demokracinë. Pra, kanë zgjedhur forma qeverisëse transparente ku qeveritë vijnë dhe ikin me zgjedhje të lira. Në Lindje nuk është kështu: as në Kinë, as në Rusi apo në shumë vende të tjera të asaj zone. Pra, aty po ndeshen demokracia me autokracinë. Ne jemi tifozë dhe aleatë të demokracisë dhe duam që demokracia të fitojë në atë front. Shpresoj që të ndodhë kështu. Kjo ishte arsyeja e dytë pse doja ta sillja ekspozitën në Kosovë për të kuptuar që ky është një front që na përket edhe neve. Pra, fronti i Ukrainës na përket edhe ne shqiptarëve dhe duhet të bëjmë gjithçka që aty Ukraina dhe demokracia të fitojnë mbi autokracinë dhe mbi Rusinë.

KOHA: Kohëve të fundit jeni dhënë shumë pas fotografive. Madje keni botuar edhe librin “41 sekrete”. E shihni më të fuqishëm fuqinë e imazhit të fotografisë?

Blushi: Njerëzit komunikojnë në mënyra të ndryshme: me shkronja, me shifra, me gjeste, komunikojnë edhe përmes imazhit që është fotografia, filmi dhe videot në përgjithësi. Kam rreth një vit që më pëlqen të eksperimentoj me fotografinë dhe në këtë kontekst shkova edhe në Ukrainë, dhe kjo është ekspozita ime e parë që bëra. Një ekspozitë jo vetëm artistike, por edhe dokumentare. Tani jam në fazën e fotografisë dhe përpiqem që fotografinë, pra imazhin dhe tekstin t’i bashkoj në një.

Në rastin tim të fundit “41 sekrete”, ku kam zgjedhur 41 personazhe me të cilat kam zhvilluar një bisedë. Ata ma kanë besuar mua një sekret të vogël të tyre dhe, po ashtu, përveçse e kam shkruar bisedën e tyre në mënyrë artistike, në të ka edhe nga një portret të secilit prej tyre. Ky libër ka dalë para një jave dhe shpresoj që shumë shpejt të vijë edhe në Kosovë.

“Sëmundja e pesimizmit” në Evropë e Shqipëri

KOHA: Pak kohë më parë u mbajt Panairi i Librit në Tiranë. Një statistikë – e dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë – thotë se 78 për qind e shqiptarëve nuk kanë blerë asnjë libër (nuk kanë lexuar) gjatë një viti? E frikëson kjo një shkrimtar?

Blushi: Është e vërtetë që shqiptarët sot lexojnë më pak. Nuk e di në Kosovë, por në Shqipëri kjo është e dukshme. Kjo nuk është çështje varfërie por çështje humori dhe çështje mode. Nuk është se shqiptarët nuk kanë para për të lexuar. Në përgjithësi gjithë Evropa dhe Shqipëria janë prekur nga ajo që unë e quaj “sëmundje pesimizmit”. Është një vend pesimist, nuk ka shumë humor për të lexuar.

Dhe e dyta është moda. Shkrimi sot, letërsia në radhë të parë ka shumë konkurrentë. Para tridhjetë, dyzet vjetësh ne ishim një vend i mbyllur, letërsia nuk kishte konkurrentë. Të gjithë njerëzit lexonin letërsi, sepse nuk kishin çfarë të bënin pas punës apo në kohën e lirë. Sot koha e lirë mbushet me Instagram, me Youtube, me Tik-Tok, me Facebook, me futboll, me Netflix. Të gjithë këta janë konkurrentë të letërsisë. Sepse letërsia si Netflixi, si filmi, si Tik-Toku, si Instagrami është diçka që konsumohet kur t’i nuk punon. Njerëzit nuk lexojnë duke punuar, por pas punës. Kjo kohë është bërë gjithnjë e më e vështirë, sepse njerëzit punojnë më gjatë. Ajo është bërë më e shkurtër, sepse njerëzit merren me fëmijë, pastaj me Instagramin, pastaj me Tik-Tokun, pastaj do të shohin futboll dhe letërsia vjen e fundit në radhën e kënaqësive. Pra, në radhën e kënaqësive, që letërsia të ndryshojë, të zërë vend, të konsumohet pak më shumë seç konsumohet, sepse ajo nuk e mund dot Tik-Tokun, natyrisht as Instagramin. Letërsia e mirë, në qoftë se shkruhet si e tillë, natyrisht ka shanse të rikthehet dhe të gjejë një pozicion të merituar në radhën e kënaqësive që ka njeriu.