Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, njoftoi se sot në Gostivar u zhvillua një takim koordinues me kryetarët e komunave të Rajonit të Pollogut dhe institucionet kompetente, kushtuar situatës me furnizimin me ujë të pijshëm.
Sipas Sejdiut, qëllimi i takimit ishte solidarizimi, mbështetja dhe ofrimi i ndihmës së nevojshme për qytetarët e Gostivarit dhe për autoritetet lokale në përballimin e situatës.
Ai bëri të ditur se kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i informoi të pranishmit për gjendjen aktuale, masat që po ndërmerren dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional. Sipas Limanit, situata po shkon drejt normalizimit dhe së shpejti pritet një prononcim zyrtar për hapat e mëtejshëm.
Sejdiu theksoi se shëndeti dhe siguria e qytetarëve mbeten prioritet i përbashkët, duke bërë thirrje që institucionet të vazhdojnë të veprojnë me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm, si dhe të informojnë rregullisht qytetarët në përputhje me rekomandimet e institucioneve kompetente.
Në fund, ai falënderoi të gjithë kryetarët e komunave të Pollogut dhe përfaqësuesit e Shtabit të Krizave për angazhimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se vetëm përmes koordinimit të mirë institucional dhe veprimit të përbashkët mund të tejkalohet sa më shpejt situata dhe t’u rikthehet qytetarëve siguria dhe besimi.
Lajme Blerim Sejdiu: Komunat e Pollogut bashkohen në mbështetje të Gostivarit – situata...



