Blegtorët në rajonin e Pollogut thonë se ende nuk i kanë marrë plotësisht subvencionet për vitit 2024. Siç pohojnë, deri më tani i kanë marrë pjesë-pjesë, gjë që e bën të vështirë ruajtjen e bagëtive. Për këtë arsye janë skeptik për subvencionet e 2025-tës.
“Subvencionet e deleve nuk janë duke i dhënë. Kur hyrën në qeveri thanë do i lëshojmë menjëherë në mars, në prill subvencionet ata nuk i kanë lëshuar të 2024 – do i lëshojnë të 2025?! Për të marrë marrin ama për të dhënë nuk japin, paguajmë bjeshkët, paguajmë mjekët, të gjithë i pagjumë. Lëshojnë me përqindje – njëherë lëshojnë 30%, njëherë 40%, njëherë 10% – një mijë, dy mijë, tre mijë euro – çka do bëjmë ne me ato pare?! Ato pare dikush në xhep i ka kapital”, tha Osman Adili – blegtor.
“Subvencionet për ne, meqë ky quhet viti dytë për ne, me lajka e propaganda vazhdojnë dy vite t’i hanë subvencionet t’i fusin në xhepat e tyre! Kjo na bën dëm të konsiderueshëm pasi që mirëmbajtja e një tufe ka një kosto të lartë! Të mbash në dimër me drithëra e bar, të mirëmbash me ujë e sende gjithë përgjegjësia mbi supet tona, të vetë blegtorëve”, u shpreh Imer Murati – blegtor.
Zëvendësministri i bujqësisë Albrim Hoxha, i pyetur mbi këtë, na tha se subvencionet janë duke u ndarë dhe se gjatë periudhës në vazhdim bujqit do t’i marrin të gjitha subvencionet.
“Subvencionet për blegtoret deri më tani janë shpërndarë sipas kategorive: Janë paguar subvencionet në shumën prej 600 denarë. Për qengjat, janë paguar subvencionet prej 1.000 denarë. Vlera e mbetur, në shumën prej 1.400 denarë për kokë, aktualisht është në proces përpunimi dhe do të realizohet së shpejti. Subvencionet janë për të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, dhe të dhënat nuk mund të ndahen sipas regjioneve”, pohoi Albrim Hoxha – zv/ministër I Bujqësisë.
Përndryshe, në Pollogut ka gjithë e më pak blegtorë! Edhe pse ministri i përkrah, askush nuk dëshiron të merret me këtë veprimtari. Mungesa e çobanëve dhe punëtorëve, por edhe sfida të tjera, bën që ky profesion të jetë i pa dëshiruar, sidomos për gjeneratat e reja.






