Blair dhe Rubio midis emrave në ‘Bordin e Paqes’ për Gazën

Administrata Trump ka emëruar Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, si dy nga anëtarët themelues të “Bordit të Paqes” për Gazën.

I dërguari i Trumpit në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, do të jenë gjithashtu pjesë e “bordit ekzekutiv themelues”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të premten.

Trump do të veprojë si kryetar i bordit, i cili është pjesë e planit të tij prej 20 pikash për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit.

Pritet që bordi të mbikëqyrë përkohësisht drejtimin e Gazës dhe të menaxhojë rindërtimin e saj, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Gjithashtu në bordin ekzekutiv themelues janë Marc Rowan, kreu i një firme private kapitali, kreu i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe një këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Robert Gabriel.

Çdo anëtar do të ketë një portofol “kritik për stabilizimin dhe suksesin afatgjatë të Gazës”, tha deklarata e Shtëpisë së Bardhë.

Trump kishte thënë të enjten se bordi ishte formuar, duke e quajtur atë “Bordi më i Madh dhe më Prestigjioz i mbledhur ndonjëherë në çdo kohë, në çdo vend”.

Shtëpia e Bardhë tha se anëtarë të tjerë të bordit do të emërohen në javët në vijim.