Biznes në objektin e ndërtuar pa leje, kërçovarët të revoltuar, Inspektorati nuk përgjigjet

Edhe pas dy muajve nuk ka asnjë epilog për objektin pa leje të ndërtuar në lagjen “Balla Malla” në Kërçovë. Ky objekt është ndërtuar në pronë publike, e cila gjithashtu është e shpallur si trashëgimi kulturore nga Ministria e Kulturës. Objekti është dhënë dhe me qira dhe në të është hapur një shitore me lojëra fëmijësh. Personi i cili tani po e menaxhon këtë shitore thotë se e ka marr me qira dhe atë me marrëveshje për 5 vjet.

“Me qira me marrëveshje, kemi marrëveshje për 5 vjet”

Banorët e lagjes thonë se edhe pse kanë kaluar 2 muaj, askush nuk i ka informuar për asgjë. Ata kërkojnë që objekti të largohet sa më shpejtë dhe të hapet rruga e pjesës së vjetër të qytetit, në të kundërtën do të marrin masa më radikale.

“Nga iniciativa që e dorëzuam para dy muajve, ende askush nuk ka ardhur këtu. Ende nuk është ndërmarr asgjë dhe askush nuk ka informuar asgjë. Kemi bërë kërkesë deri te komuna, te ministria e Kulturës, deri te inspektorati dhe nuk na ka thënë askush asgjë. Mendoj se në pjesën e vjetër të qytetit nuk ka logjikë që diçka e të tillë ndodh. Siç mund ta shihni, kjo pjesë e ka mbyllur rrugicën e pjesës së vjetër të qytetit”, tha Kosta Galimanovski.

Avokati i banorëve të lagjes thotë se nga data 26 korrik e këtij viti nuk kanë asnjë përgjigje nga Inspektorati i Urbanizmit dhe institucionet tjera relevante.

“Ne më datë 9 korrik, ju drejtuam Inspektoratit të Urbanizimit në Shkup dhe më datë 26 korrik 2021 nga ana e Inspektoratit Shtetërorë të Urbanizmit në Shkup morëm informatë se i kanë kërkuar kryetarit të Komunës Fatmir Deharit që në afat prej 5 ditëve, ai t’i informojë në lidhje me objektin. A ka leje dhe a është i ndërtuar në pronë shtetërore dhe nga ajo datë 26 korrik, nuk kemi asnjë përgjigje dhe objekti ngelet në vendin ku është ndërtuar”, deklaroi avokati Arian Imeri.

Dehari thotë se vendi ku është ndërtuar nuk është nën kompetenca të Komunës, e as inspektoratit Komunal sepse është ndërtuar në pronë të shtetit, ai thotë se e ka njoftuar Inspektoratin Shtetërorë të Urbanizmit se objekti është pa leje dhe i ndërtuar në pronë shtetërore.

“Inspektorati pasi ndërmori të gjitha informacionet dhe masat e duhura, njoftuam inspektoratin shtetërorë dhe pas kësaj ka pasur edhe vizitë në drejtpërdrejtë në vendngjarje, ku është ndërtuar tanimë objekti nga ana e inspektoratit shtetërorë dhe ne si institucion presim se çfarë epilogu do të marr në këtë rast inspektorati shtetëror”, u shpreh kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

E nga Inspektorati Shtetërorë i Urbanizmit nuk ju përgjigjën pyetjes së TV21 deri në këto momente.

Në vendin ku është ndërtuar objekti ka pasur një barakë e cila është prishur më 13 qershor dhe menjëherë pas prishjes për disa ditë është ngritur objekti në fjalë, në vendin i cili ishte i paraparë për rrugë të lagjes “Balla Malla” në rrugën “Ohridska” e cila të çon drejt rrugës “Marshall Tito”./TV21