Bislimovski: Heqja dorë nga gazi rus, është luks – s’mund ta lejojmë!

Aktualisht, vendi 100 për qind të nevojave të gazit natyror i siguron nga Rusia dhe është 100 për qind i varur, ashtu si Moldavia dhe Bosnja e Hercegovina, kështu që nuk mund ta përballojmë luksin e heqjes dorë nga gazi rus, tha sonte kryetari i Komisionit Rregullator për Energji dhe Shërbime të Ujit (KRRE) Marko Bislimoski.

“Qëndrimi im personal është se ne nuk kemi një luks të tillë të heqim dorë nga gazi natyror. Kemi një sezon ngrohjeje në vazhdim dhe nëse heqim dorë duhet të ngrohemi me mazut. Gjithashtu, gaz natyror përdorin të gjitha kompanitë që kryejnë eksportet më të mëdha në vend. Kjo situatë do të përbënte një problem serioz për funksionimin e këtyre kompanive. Prandaj mendoj se në këtë moment nuk mund të heqim dorë nga gazi natyror, sepse realisht nuk besojmë se ka alternativë dhe nuk mund të ketë alternativë në këtë moment, tha Bislimoski në emisionin Top Temë në Tv Telma.

Heqja dorë nga gazi natyror rus, siç tha, do të shkaktojë goditje të rëndë për ekonominë maqedonase.

“Unë pres që Bashkimi Evropian do të duhet të ndihmojë në këtë rajon. Nëse kemi probleme me gazin natyror do të duhet të gjejmë një mënyrë për të na ndihmuar. Besoj se arsyeja do të mbizotërojë dhe do të vazhdojë furnizimi i gazit natyror. Në këtë pikë furnizimi me gaz natyror është i qëndrueshëm dhe po vjen pa probleme. Punon Te-To, BEG dhe të gjitha kompanitë e tjera. E përdorin me çmime shumë më të larta, por energjia më e shtrenjtë është ajo që nuk e ke”, tha Bislimoski.

Ai theksoi se nuk guxon të parashikojë çmimin e gazit në të ardhmen.

“Bursat, sidomos ato energjetike në muajt e fundit, janë të ndjeshme ndaj çdo deklarate dhe çdo ditë ndryshojnë qoftë lart apo poshtë dhe është shumë e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Të martën çmimi i gazit ka shkuar deri në 3000 dollarë, sot ka rënë për 50 deri në 60 për qind”, sqaroi Bislimoski.

Vendi, siç theksoi, 80 deri në 90 për qind të derivateve të naftës i siguron nga Greqia.

Prandaj besoj se furnizimi do të jetë i qëndrueshëm, edhe pse Greqia ka edhe pak naftë ruse. Nëse Greqia ka probleme do të kishim edhe ne, por tani për tani është stabile,” theksoi Bislimoski.