Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takimin e tyre të parë zyrtar, ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Bëhet e ditur se ambasadori nënvizoi se është kënaqësi dhe privilegj të shërbejë në këtë pozitë dhe të kontribuojë në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe se kujtoi herën e fundit në vitin 2001 kur ka qenë në Kosovë, duke evidentuar se sa mbresëlënës është progresi dhe zhvillimi i shpejtë që ka njohur vendi, si dhe demokracia e konsoliduar.
Nga ana e tij, Bislimi i uroi mirëseardhjen në Kosovë, duke e përgëzuar për detyrën e tij të re dhe ofruar bashkëpunim të ngushtë.
“Duke shprehur mirënjohje për mesazhin e ambasadorit në fillim të takimit, zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se vendi ynë është i drejtuar në një trajektore pozitive të zhvillimit, e ku kemi pasur progres, përtej barrierave, me të cilat jemi përballur”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se palët trajtuan përgjatë takimit zhvillimin ekonomik e mundësitë për investim në vend, ku zëvendëskryeministri foli dhe mbi politikat e objektivat e qeverisë, si dhe bashkërisht u theksua gatishmëria për të forcuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme e me interes të përbashkët.
Bislimi veçoi edhe diasporën tonë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila shërben dhe si urë lidhëse. Po ashtu, Hargreaves e përgëzoi Qeverinë e Kosovës për nënshkrimin së fundmi të memorandumit të mirëkuptimit në Londër me BERZh-in, me vlerë 400 milionë euro.




