Bisedimet Maqedoni-Bullgari, Aneksi 12 pikësh mbetet enigmë për publikun

I dërguari special i Maqedonisë së Veriut, Vllado Buçkovski, është nisur përsëri drejt Sofjes. Ky informacion është publikuar në mediat bullgare, ndërsa ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet në vendin tonë. Në prag të mbërritjes në Sofje të të dërguarit special, ministri bullgarë i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, ka thënë për mediat e shtetit fqinje se Buçkovski ka vullnet të mirë për gjetjen e një gjuhë të përbashkët, por jo edhe ata që e kanë dërguar në Sofje.

Buçkovski është njeri me qëllime të mira dhe me eksperiencë politike dhe jo rastësisht është zgjedhur për bisedime të tilla, por mendoj se pushteti në Shkup po e shfrytëzon. Thjesht e përdorin për të demonstruar vullnet të mirë. Ai ka vullnet të mirë, por unë mendoj se një vullnet i tillë nuk është tek ata që e kanë dërguar. Sepse, për tre vjet e gjysmë nuk kanë bërë asgjë dhe tani shpresojnë në kompromis nga ana bullgare. Atje ka mentalitet të egër nga shekulli i 19 dhe nuk shoh arsye për të pritur përparim – deklaroi Krasimir Karakaçanov- ministër bullgarë i Mbrojtjes.

Nga Ministria e Jashtme nuk ka informacione rreth agjendës që do të ndjekë i dërguari special dhe as se çfarë epilogu pritet nga bisedimet më politikanët bullgarë. Se çfarë konkretisht përmban Aneksi 12 pikësh për zgjidhjen e çështjes i përpiluar nga Bullgaria përsëri mbeti pa u komentuar si nga dikasteri për Punë të Jashtme, ashtu edhe nga ekzekutivi.
Lidhur me këtë ka reaguar partia opozitare VMRO-DPMNE, nga ku thonë se LSDM-ja vazhdon të gënjejë paturpsisht qytetarët dhe negocion për identitetin dhe historinë maqedonase. Ndërsa rikujtojnë se si parti opizitare kanë alarmuar rreth përmbajtjes së aneksit që muaj më parë.

Qeveria po fsheh nga qytetarët kushtet dhe kërkesat nga Aneksi me 12 pika. Deri kur nëpër tavolina të fshehta bisedimesh do të shkërmoqet gjuha dhe identiteti maqedonas. Me aneksin në fjalë gjërat po bëhen më të qarta. U vërtetua informacioni i VMRO-DPMNE-së, nga viti i kaluar, se Qeverisë së Maqedonisë i është dorëzuar aneks me pozicione negociuese për identitetin maqedonas – tha Stefan Andonovski- VMRO-DPMNE.

Diplomati dhe ish ambasadori amerikan në Sofje, Xhejms Perdju, në një intervistë për një nga media t bullgare është shprehur se Sofje duhet ta mbështesë dhe jo ta bllokojë kandidaturën e Maqedonisë në Bashkimin Evropian./ALSAT