Bisedimet e para trepalëshe, delegacionet e SHBA-së, Ukrainës e Rusisë drejt Abu Dhabit

Delegacionet e Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së do të zhvillojnë bisedime trepalëshe në Abu Dhabi të premten, duke shënuar herën e parë që palët nga tri vendet ulen bashkë që nga pushtimi rus në vitin 2022.

Takimi u konfirmua në orët e hershme të së premtes pas bisedimeve mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të dërguarit të SHBA-së, Steve Witkoff, si dhe dhëndrit të presidentit amerikan, Jared Kushner. Këshilltari në Kremlin, Yuri Ushakov, ka thënë se bisedimet ishin të dobishme dhe se ishin pajtuar për një takim trilateral.

Detajet e plota për bisedimet nuk u dhanë, dhe nuk është e qartë nëse zyrtarët ukrainas e rusë do të takohen sy më sy. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se bisedimet do të zgjasin dy ditë, raportoi The Guardian.

Witkoff, Kushner dhe ekipi amerikan priten ta takojnë delegacionin rus, kryesuar nga gjenerali Igor Kostyukov në Abu Dhabi të premten.

Administrata Trump e ka shtyrë përpara një marrëveshje paqeje, për të cilën disa shqetësohen se mund ta detyrojë Ukrainën drejt një marrëveshje të pafavorshme. Presidenti amerikan, Donald Trump, të mërkurën ka thënë se Putini dhe Zelensky do të ishin “budallenj” nëse dështojnë të bëhen bashkë dhe të arrijnë marrëveshje.