Bill dhe Melinda Gates: Duhet të përgatitemi për pandeminë e radhës

Nuk është shpejt që të nisim të mendojmë se si bota duhet t’i përgjigjet pandemisë tjetër, edhe pse një aktuale po zhvillohet. Kështu deklaruan Bill dhe Melinda Gates, në letrën e tyre vjetore.

“Është për të ardhur keq që Covid-19 mund të mos jetë pandemia e fundit. Për të parandaluar që vështirësitë e këtij viti të fundit të mos ndodhin përsëri, përgatitja për pandeminë duhet të merret po aq seriozisht sa kërcënimi nga lufta”, shkruan Bill.

Çifti thanë po ashtu se ndikimi i pandemisë së koronavirusit tek të varfrit, njerëzit me ngjyrë dhe gratë ka një efekt më të madh.

“Bill dhe unë jemi thellësisht të shqetësuar se pandemia përveçse nxori në pah kaq shumë padrejtësi të vjetra, do të sjellë edhe një të re: pabarazia e imunitetit, një e ardhme ku njerëzit më të pasur kanë qasje në një vaksinë COVID‐19, ndërsa pjesa tjetër e botës nuk e ka”, shkruan Melinda.

Fondacioni Gates ka investuar 1.75 miliardë dollarë në luftën kundër koronavirusit, dhe shumica e këtij financimi ka shkuar në prodhimin e furnizimeve mjekësore dhe sigurimin e vaksinave edhe për popujt e varfër.

“Derisa vaksinat të arrijnë tek të gjithë, grupe të reja sëmundjesh do të shfaqen vazhdimisht. Ato grupe do të rriten dhe do të përhapen. Shkollat ​​dhe zyrat do të mbyllen përsëri. Cikli i pabarazisë do të vazhdojë”.