Një anketë e realizuar në territorin e Komunës së Tetovës nga data 24 deri më 26 tetor nga Qendra për Humumtime politike dhe Komunikim, tregon një avantazh të qartë të kandidatit për kryetar komune Billall Kasami, ndaj kundërkandidatit të tij nga AKI, Bajram Rexhepi.
Në këtë anketë janë përfshirë gjithsej 455 qytetarë të Tetovës, të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga të gjitha vendbanimet e komunës – përfshirë edhe fshatrat e Malësisë – duke respektuar përbërjen etnike, përkatësinë gjinore, moshën dhe përgatitjen arsimore të të anketuarve. Prej tyre, 77% kanë qenë shqiptarë, 19,5% maqedonas, ndërsa pjesa tjetër përfaqësonte komunitete tjera etnike. Marzha e gabimit të anketës është ±3,5%.
Rezultatet kryesore:
– 58,5% e qytetarëve do të votonin për Billall Kasamin,
– 32% për Bajram Rexhepin,
– ndërsa 9,5% janë ende të pavendosur ose nuk kanë dhënë përgjigje të prerë.
Në mënyrë domethënëse, anketa tregon se edhe në mesin e qytetarëve maqedonas, Billall Kasami gëzon një përkrahje të konsiderueshme. Sipas rezultateve, 48% e tyre janë shprehur në favor të Kasamit, 19,5% për Bajram Rexhepin, ndërsa 32,5% e të anketuarve maqedonas ende nuk kanë vendosur.
Duhet theksuar se edhe anketa paraprake e realizuar nga CRPC përpara raundit të parë të zgjedhjeve rezultoi shumë e saktë në parashikime. Në atë sondazh, Kasami kishte marrë 36,9% mbështetje, ndërsa Rexhepi 19,8%, rezultat që më vonë u reflektua pothuajse identikisht në zgjedhjet reale.
Sipas të dhënave të reja, Billall Kasami hyn në raundin e dytë me një epërsi të qëndrueshme dhe në rritje, duke treguar rritje të besimit qytetar ndaj menaxhimit aktual të komunës, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale përreth.
Burimi: Anketë e realizuar në terren, 24–26 tetor 2025
Numri i të anketuarve: 455
Marzha e gabimit: ±3,5%




