Bilall Kasami nga VLEN beson se pavarësisht bindjeve politike, deputetët do të mbështesin Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, ndërsa me këtë do t’i jepet fund keqpërdorimit me deklarimin e përkatësisë etnike gjatë punësimit.
“Përkundër dallimeve politike, besojmë fuqishëm se çdo deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të përkrahë një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të përfaqësimit adekuat që është një kategori kushtetuese. Sigurisht që me këtë ligj përfundimisht do të përmbyllen të gjitha manipulimet dhe e deritanishme sa i përket keqpërdorimeve që janë bërë me mekanizmin e balancuesit”, deklaroi Bilall Kasami, VLEN.
Megjithatë BDI-ja opozitare e kundërshton me tone të ashpra propozim-ligjin, duke akuzuar VLEN-in se po e shet barazinë dhe po e varros të ardhmen.
“Kjo që po ndodh është më shumë se zhgënjim, është tradhti e hapur ndaj çdo arritjeje për të cilën është sakrifikuar me dekada. Sa herë mendojmë se kanë arritur fundin, ata gjejnë mënyrë të re për të rënë edhe më poshtë. Propozim-ligji për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, i hartuar nga Karakamisheva dhe i përkrahur me bujë nga VLEN, nuk është arritje – është regres brutal”, thanë nga BDI.
Ligji për Përfaqësim, tradhti e hapur ndaj çdo arritje dhe sakrifice
Ligji për Përfaqësim nuk është arritje, por regres brutal
Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë paraprakisht kaloi në Qeveri, ndërsa në periudhën e ardhshme pritet të dorëzohet në Kuvend për miratim. Ligji llogaritet pasardhës i Balancuesit, apo mekanizmit që rregullonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nëpër institucionet shtetërore, e i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit 2024. Me ligjin e ri, kriter bazë për punësimet parashihet të jetë përgatitja profesionale e kandidatit e jo përkatësia etnike. Siç deklaroi zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali në intervistën për Alsat, me këtë ligj nuk do të ketë mundësi të rezervohen vende pune për bashkësitë etnike, ndërsa gjithashtu nuk do të mund të shqiptohen gjoba për shkelësit./Alsat.mk.



