Bilall Kasami nga Saraji: Po e ndërtojmë VLEN-in shtëpi të përbashkët, edhe më të fortë dhe më të organizuar

Në takimin me strukturat në Saraj, Bilall Kasami deklaroi se VLEN po hyn në një fazë të re organizimi dhe fuqizimi politik, me synimin për t’u shndërruar në një subjekt të vetëm politik, raporton Zyrtare.

“Po e nisim këtë rrugëtim për t’iu treguar të gjithëve se VLEN-i do të vazhdojë edhe më fuqishëm. VLEN-i do të vazhdojë edhe më i bashkuar, drejt një organizimi të vetëm, drejt një partie politike, sepse tani sfidat janë edhe më të mëdha se para dy vitesh kur u bëmë bashkë”, u shpreh Kasami.

Ai theksoi se koha kërkon unitet, strukturim më të fortë dhe përgjegjësi më të madhe përballë qytetarëve, duke shtuar se VLEN po ndërtohet si një “shtëpi e përbashkët” për të gjithë ata që besojnë në ndryshim dhe përfaqësim dinjitoz.