Bien investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut

Investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rënie të theksuar, në veçanti në dy tremujorët e fundit, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore. Në tremujorin e tretë, sipas raportit, janë regjistruar disa investime, por ato janë shumë më të ulëta në krahasim me kapitalin e huaj që po largohet nga vendi.

Në tremujorin e dytë është regjistruar një ulje prej 9.3 milionë euro të investimeve të huaja, ose në dy tremujorët e fundit minus 14.7 milionë euro.

Në periudhën e para pandemisë, Maqedonia e Veriut kishe regjistruar 133 milionë euro investime, shifër kjo që pas nëntë muajve është ulur në 119.5 milionë euro, që është një nga rezultatet më të dobëta në viteve të fundit.

Por, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk pajtohen me këto të dhëna. Që nga paraqitja e krizës me pandeminë e koronavirusit, 71 për qind e ndërmarrjeve të huaja punojnë me fitim, pjesa tjetër janë me humbje, por asnjë nga investitorët nuk është larguar, thonë nga Drejtoria për Zonat e Zhvillimit Teknologjike-Industriale.

Nga kjo drejtori kanë bërë të ditur se “pagat e punëtorëve në zonat industriale janë më të ulëta se pagat mesatare, pra rriten më ngadalë në krahasim me pagat mesatare neto të qytetarëve të tjerë në vend”.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, në anën tjetër, thotë se përkundër krizës, janë regjistruar investime të huaja direkte.

“2020-ta është vit kur u paraqit edhe kriza me sëmundjen COVID-19, por pavarësisht kësaj kemi 12 investime direkte nga jashtë, të cilat janë në fazën e realizimit, nënshkrimit të marrëveshjeve ose në fazën e negociatave. Me rëndësi është për t’u theksuar se 400 kompani vendore kanë marrë mbështetje prej 17.3 milionë euro për investime gjatë kohës së pandemisë”, ka deklaruar kryeministri Zaev pa përmendur kompanitë e huaja që janë larguar nga vendi pikërisht për shkak të krizës me pandeminë.

Ndërkohë, opozita e konsideron si alarmante gjendjen me investimet e huaja. Sipas partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, deri sa në shumë vende të rajonit investimet shënojnë rritje, në Maqedoni të Veriut ndodh e kundërta./REL