Biden zbret në Evropë, Presidenti i SHBA merr pjesë në Samitin e G7, ‘Amerika u rikthye’

Presidenti Joe Biden dhe gruaja e tij Jill mbërritën në Cornwall në Britani të Madhe.

Ky është udhëtimi i parë i kreut të Shtëpisë së Bardhë në Evropë që nga fitimi i zgjedhjeve amerikane. Dhe pikërisht Samiti i G7 është një mundësi e mirë për aleatët e qëndrueshëm evropianë pas një periudhe të trazuar raportesh me parardhësin e tij.

Ndalesa e parë e presidentit ishte në RAF Mildenhall ku ai u takua me ushtrinë amerikane dhe familjet e tyre, duke përcaktuar misionin e tij për udhëtimin.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rikthyen dhe demokracitë e botës po qëndrojnë së bashku për të trajtuar sfidat më të vështira dhe çështjet që kanë më shumë rëndësi për të ardhmen tonë”, u shpreh presidenti Joe Biden.

Ndër temat të cilat do të diskutohen në Samitin e G7 janë sfida e vaksinimit të botës kundër COVID-19, planifikimi për një rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë dhe ndryshimet e klimës dhe më pas ka një takim të shumëpritur në Gjenevë.

“Ky është udhëtimi im i parë jashtë shtetit si President i Shteteve të Bashkuara. Do të jem prezent në samitin e G7, pastaj në NATO dhe më pas do të takohem me z. Putin për t’i bërë të ditur atë që unë dua që ai të dijë”, tha presidenti amerikan.

Renditja e këtij udhëtimi mendohet e qëllimshme, Biden do të këshillohet me aleatët e Evropës Perëndimore si një shfaqje e unitetit para samitit të tij me Putin.

Cornwall është i njohur për të qenë një destinacion pushimesh, por nuk ka gjasa të jetë relaksues për asnjë nga udhëheqësit e G7.

Para samitit presidenti amerikan do të takohet me kryeministrin mikpritës Boris Johnson, një shans për të vlerësuar se sa e veçantë është marrëdhënia e tyre./Euronews/